Gazeta Si – Gjykata e Elbasanit ka dënuar me 22 vite burg Arbër Paplekajn, i cili akuzohet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, përkrahës i Partisë Socialiste në 21 prill të vitit 2021, 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Avokatët e Paplekajt janë shprehur se do të apelojnë vendimin e togave të zeza. Ndërkohë, gjykata ka dhënë dënimin me një vit shërbim prove për Nikollaq Pallën dhe Albert Nushi, dy ish-zëvendësdrejtorë të policisë së Elbasanit në kohën kur ndodhi vrasja. Ndërkohë, për 6 efektivët e policisë është dhënë dënimi me 16 muaj shërbim prove.
Paplekaj ishte pjesë e “SMV”-së, Struktura për Mbrojtjen e Votës e ngritur në Elbasan nga Partia Demokratike.
Pas një sherri verbal, “SMV”-ja dyshonte se Xhuvani ishte pjesë e një grupi që blinin vota dhe menjëherë më pas ndodhi vrasja, ku mbeti i pajetë Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë.
Të plagosurit ishin Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota. Nga dita e arrestimit deri më sot, në pranga është ish-oficeri i RENEA-s, Arbër Paplekaj i cili akuzohet se qëlloi për vdekje Xhuvanin dhe dhëndrin e tij, Eltjon Bodinaku.
Nuk dihet ende kush qëlloi ndaj Emiljano Prengës dhe Paulo Vuksanit, të dy ish-policë.
Paplekaj, një ish efektiv i RENEA u vetëdorëzua dhe pranoi krimin duke thënë se e kishte bërë goditjen për vetëmbrojtje, pasi ishte qëlluar më parë me armë zjarri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.