Lojëra me Dore

Një ‘marsian’ në Uimbëlldon, Alkaraz tregon klasin e numrit 1 ndaj Berretinit

Gazeta Si – Nuk mund të bënte asgjë përballë ‘marsianit’ Karlos Alkaraz tenisti italian, Mateo Berretini. Numri 1 në botë ka kaluar në çerekfinale të Uimbëlldonit pas një ndeshjeje që zgjati 3 orë e 4 minuta dhe përfundoi me rezultatin 3-6, 6-3, 6-3, 6-3. Një fitore me përmbysje e spanjollit.

Berretini fitoi setin e parë dhe më pas luftoi fort, por iu desh të dorëzohej ndaj ‘uraganit’ Karlos Alkaraz. Në fillim italiani e vuri në vështirësi spanjollin, që reagoi fuqishëm. Falë talentit të tij, numri 1 e rriti ndjeshëm kualitetin e lojës. Alkaraz iu përgjigj thuajse çdo goditjeje të Berretinit.

Seti i tretë ishte kopje e të dytit, me Alkaraz që e shtoi presionin te kundërshtari me precizion të lartë. Në setin e katërt pati një reagim të Berretinit. Gejmet e fundit u luajtën me çati të mbyllur, italiani anuloi tre ‘match point’-e, por pa mundur t’i mohonte fitoren spanjollit.

Janë përcaktuar tashmë edhe ndeshjet çerekfinale te meshkujt: Alkaraz-Rune, Medvedev-Eubanks, Siner-Safiulin dhe Rublev-Gjokoviç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë