Ngjarje

‘Policia fjeti gjumë’, banorët e Borizanës: Bëmë 40 denoncime, askush nuk mori masa  

Ajo që ka ndodhur në Borizanë me dhunën e ushtruar ndaj dy pjesëtarëve të fisit ‘Maja’ nga një tjetër fis ai i Rrajave për një gurore që kishte në pronësi vëllai i deputetit të dorëhequr Rrahman Rraja është vetëm njëra anë e medaljes. Në mediat vizive si Report Tv dhe News 24 u shfaqën denoncime të vetë banorëve të Borizanës se si 50 familje rrezikoheshin të shëmbeshin nga shpërthimet në gurore. Por jo vetëm. Në harkun kohor të dy muajve ata kishin depozituar 40 denoncime në polici ku rasti më i rëndë ka qenë mos reagimi i vetë organeve të policisë.   

“Sipas rregullave të shtetit shqiptar kemi bërë 40 denoncime. Shteti fle gjumë. Nuk merr asnjë masë. Ne nuk kemi asnjë problem  me asnjë fis, as me Rrajat. Por unë si banor, kam kërkuar të merren masa të paktën ti bllokojnë për momentin. Këtë apel e kam bërë në Report TV edhe para një muaji. Na nuk duam probleme me asnjë fis por duam shtëpitë tona që i kemi bërë me djersë. Na me zor mbajmë fëmijët me bukë jo më të na prishin shtëpitë”, u shpreh për kamerat një banor.

Një tjetër rendiste se janë bërë 40 denoncime në komisariatin e Fushë Krujës.

“Po të kishte marrë shteti masa nuk do kishte ndodhur kjo. 40 denoncime i kemi bërë në komisariatin e Fushë Krujës. I ke me fakte, kemi bërë takim me shefin e degës dhe na ka thënë po dolët e bllokuat guroren jeni të gjithë në burg. I kemi thënë jemi 50 familje. Çfarë të bëjmë?  Po qe ashtu na jepni lekë e të ikim nga Borizani. Jemi autoktonë këtu, por këto nuk marrin masa. Kryetari i degës thotë unë i vë hekrat për 30 minuta. Si i vë hekrat?! Një herë na mbyti tërmeti, tani dhe kjo"

Nje tjeter banor i Boriznes duke folur per konfliktin

“Nuk ka shtet këtu o vlla. Këtu nuk ka kriminelë, por të parët janë policët e Fushë-Krujës dhe të dytët vijnë në Tiranë që nuk i komandojnë të Fushë-Krujës. I bëj thirrje Edi Ramës sepse keni për ta bërë gjakderdhje kot. A mund t’i dalin familjes para me gjithë atë dhunë që kanë bërë? Unë më mirë pranoj vdekjen se atë dhunë barbare, se nesër pasnesër më thotë gruaja ‘mos e ngre zërin se të kanë rrahur e s’ke surrat të më shohësh’.  A ka shtet a jo, a të shkojmë të vrasim veten a çfarë të bëjmë… Prej shtëpie na nxorën. Kanë hyrë në hamësi dy fiset më të mëdha të Krujës, se keni për t’ia dëgjuar krismën po nuk ndërhyri shteti”, tha një tjetër banor për News 24


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë