Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka reaguar ndaj lajmit të ditës që lidhej me rrahjen nga fisi i Rrajave të dy anëtarëve të një tjetër fisi sepse kishin denoncuar biznesin e tyre të gurores në polici.
“Dhuna e më të fortit është kthyer sot normë; dhuna ndaj më të dobëtit është kthyer sot edhe në aftësi politike madje në një sistem të mirëorganizuar që operon nga zyrat e sipërmarrjes dhe ekonomisë deri në lagjet e humbura të vendit. Prandaj nuk ka habi që familjarë të deputetit të zonës, që dukshëm ka një armë më shumë në këtë histori, përfshihet në bizneset e zonës në formën e një bande, punëson në zonë kë dëshiron fisi dhe sundon me urdhër në formën e një qeverie paralele.
Të gjitha këto benefite vijnë si pasojë e nevojës që pushteti ka për këtë familje pasi sistemi është i tillë. Sistemi lejon trafikun e drogës dhe bandat që këto të fundit të kërcënojnë dhe blejnë votat.
Ky model i ofrohet Shqipërisë prej 30 viteve. Shqiptarët kanë kërkuar dhe janë përpjekur që të promovojnë vlera të tjera por është sistemi i perfeksionuar në këto 10 vite që ka promovuar anti-vlerat që sot japin shfaqje të shëmtuara”, shkruan Tabaku.
Sipas saj, “kjo është një histori bandash që të kujtojnë Perëndimin e Largët të filmave Western më shumë se sa vendin ku kryeministri ka ftuar vendet e Ballkanit Perëndimor për të promovuar Procesin e Berlinit”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.