Politike

Rama: Kurti duhet të dëshmojë se Kosova i përket Procesit të Berlinit dhe jo ëndrrave të Kremlinit

Nga Gazeta ‘Si’-Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar një lajm të mirë progresin në lidhje me idenë për një konferencë të nivelit të lartë, deri në arritjen e marrëveshjes së plotë për zbatimin e Planit Franko-Gjerman mes Kosovës e Serbisë.

Iniciativë që sot më herët e mbështeti vetë Presidenti Charles Michel.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se rajoni i Ballkanit nuk mund të merret zvarrë nga një konflikt, që sipas tij, është i kotë dhe absurd.

Kreu i qeverisë shqiptare ka nxitur institucionet në Kosovë që të ulen në dialog me Serbinë dhe të dëshmojnë me vepra se rajoni i përket Procesit të Berlinit jo ëndrrave të Kremlinit.

“Sot kur në Bruksel ka hyrë në axhendën e punës së Komisionit përgatitja e një plani të ri mbështetjeje financiare dhe ekonomike për vendet e rajonit tonë; kur Shqipëria përgatitet të presë Samitin e Parë të Procesit të Berlinit në Ballkanin Perëndimor; kur ne duhet të jemi të gjithë të bashkuar, për ta çuar përpara këtë proces jetik për të ardhmen tonë të përbashkët europiane, duke forcuar lidhjet tona, ekonomitë tona, tregun tonë të përbashkët, Veriu i Kosovës po i ofron botës shfaqjen e një filmi bardhezi të Ballkanit të vjetër, i cili mund të argëtojë vetëm spektatorët cinikë në Lindjen kufijve të Bashkimit Europian.

Politikanët e Kosovës duhet ta dëshmojnë sot, me vepra e jo me fjalë, se ky rajon i përket Procesit të Berlinit jo ëndrrave të Kremlinit dhe Kosova nuk mund të jetë pëlhura e pavetëdijshme mbi të cilën projektohen ato ëndrra, ndërkohë që disave prej tyre u duket se po pikturojnë një tablo heroike për historinë”, shkroi Rama në Twitter.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë