Mendim

Kina kërkon të blejë Europën, por çmimi është shumë i lartë

Nga Minxin Pei* – Kur liderë të rinj në Kinë, vijnë në fuqi, ata zgjedhin me kujdes shtetet e para që vizitojnë. Pra, turneu aktual i kryeministrit Li Qiang në Gjermani dhe Francë nënvizon se sa i rëndësishëm është përmirësimi i lidhjeve me Europën, veçanërisht dy vendet e saj më të fuqishme, për Kinën dhe presidentin Xi Jinping.

Logjika është e qartë. Ndërkohë që Xi nuk i ka prerë ende shpresat se mund të rregullojë marrëdhënien me SHBA-në, siç dëshmohet nga takimi i tij me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken në Pekin këtë javë, ai e di se çështjet që ndajnë dy superfuqitë janë shumë të mëdha për t’u kapërcyer së shpejti. Shmangia e përshkallëzimit të mëtejshëm është ndoshta më e mira për të cilën mund të shpresojë.

Europa duket se ofron një territor më fertil. Edhe pse ka një agresivitet në rritje, shtetet e mëdha europiane, si Gjermania dhe Franca nuk e shohin Kinën si një kërcënim të sigurisë. Mbi të gjitha, ato nuk kanë interes për një luftë të Ftohtë, aq më tepër një të Nxehtë, mbi Tajvanin – siç u shpreh dhe presidenti francez, Emmanuel Macron. Interesi i tyre ekonomik në Kinë, janë gjithashtu shumë më domethënëse se ato të SHBA-së, duke paraqitur kështu një mundësi të qartë për shfrytëzimin e Pekinit.

Mbajtja e Europës në krah të tensionit SHBA-Kinë do të dobësonte Uashingtonin. Nga pikëpamja e Xi, konvergjenca transatlantike mbi Kinën është alarmante. Edhe SHBA, edhe Europa po ndjekin të njëjtën mantra – uljen e ekspozimit kinez –  për të reduktuar kështu lidhjet ekonomike me të. Europa ka ecur pothuajse njësoj si SHBA në shtrëngimin e aksesit të Kinës në teknologji, investime dhe eksporte. Edhe për çështjen e Tajvanit, Europa ka nisur të mbështesë vetëqeverisjen e ishullit dhe të kritikojë Kinën.

Por qëndrimi neutral i Europës do të kushtojë, dhe Xi e di këtë.

Mosmarrëveshjet serioze ekonomike ndajnë Kinën dhe Europën, e cila është ankuar prej kohësh për aksesin e kufizuar në tregun kinez, subvencionet bujare të Pekinit për firmat e tij dhe rekordin e dobët të vendit në mbrojtjen e pronësisë intelektuale. Kina do të duhet të bëjë një përpjekje me besim të mirë për të adresuar këto shqetësime nëse dëshiron të ketë ndonjë shpresë për të ruajtur besueshmërinë me Europën.

Qeveritë europiane kërkojnë të shikojnë më shumë përpjekje nga Kina për ndryshimet klimatike. Vitet e fundit, tensionet me Amerikën dhe shqetësimet mbi energjinë kanë penguar ambiciet e Kinës në këtë aspekt. Xi nuk shkoi as në samitin e klimës COP26 në nëntor 2021. Lajmet e fundit se Kina po gjashtëfishon termocentralet e qymyrit, ka nxitur shumë kritika.

Një çështje tjetër ku Europa është kritike ndaj Kinës, është trajtimi i keq i njerëzve. Ndërsa SHBA shpesh e zbut mbështetjen e saj për të drejtat e njeriut jashtë në varësi të konsideratave gjeopolitike, Europa ka ndjekur prej kohësh një qasje më puriste, duke çuar në përplasje të shpeshta me Pekinin. Në vitin 2021, BE vendosi sanksione ndaj Kinës për represionin e saj etnik në Xinjiang. Kundërsanksionet e menjëhershme të Kinës dënuan ratifikimin e një marrëveshjeje historike të investimeve që Kina dhe BE sapo kishin nënshkruar, e cila do t’i kishte dhënë një goditje të rëndë SHBA-së.

Mbi të gjitha, kombet europiane kanë inat të thellë që Kina fshihet pas një fasade neutraliteti, ndërsa vazhdon të mbështesë Vladimir Putinin e Rusisë. Nëse Kina nuk e anulon mbështetjen e saj ose nuk luan një rol vërtet konstruktiv në bindjen e Moskës për t’i dhënë fund luftës me kushte të pranueshme për Europën, ata do ta mbajnë Kinën të paktën pjesërisht përgjegjëse për kërcënimin më të rëndë ndaj sigurisë së tyre që nga Lufta e Dytë Botërore.

Është e paimagjinueshme që Kina, në këtë fazë, të braktisë Rusinë në këmbim të vullnetit të mirë në Europë. Për Pekinin, Moska është një partner i pazëvendësueshëm në rivalitetin strategjik kino-amerikan. Kina gjithashtu ka pak hapësirë ​​për të manovruar mbi të drejtat e njeriut. Pak liderë kinezë duan të shihen si t’i nënshtrohen presionit perëndimor dhe që mohojnë politikën e tolerancës zero të partisë ndaj disidencës gjatë dekadës së fundit.

Kjo lë vetëm tregtinë dhe ndryshimet klimatike si nxitje për Kinën për ta mbajtur Europën jashtë koalicionit që SHBA-ja ka ndërtuar me sukses të jashtëzakonshëm. Disa lëshime në këto dy fronte do të ishin më mirë se asgjë. Për arsyet e veta – në veçanti, frika për ta shtyrë Xi plotësisht në përqafimin e Putinit – Europa nuk ka gjasa të ashpërsojë rrënjësisht politikën e saj ndaj Kinës në afat të shkurtër.

Megjithatë, në planin afatgjatë, çmimi i neutralitetit strategjik të Europës ka të ngjarë të jetë më i lartë se sa mendon Kina – dhe ndoshta më shumë sesa Xi është i gatshëm të paguajë.

Burimi: Bloomberg/ Përshtati: Gazeta ‘SI’

* Minxin Pei, është një analist i politikës kinezo-amerikane, kolumnist dhe redaktor i China Leadership Monitor. Ai është një specialist për qeverisjen në Kinë, marrëdhëniet SHBA-Azinë Lindore dhe demokratizimin në vendet në zhvillim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë