Lojëra me Dore

Federer një zotëri i vërtetë: E pabesueshme ajo që Gjokoviç ka bërë 36 vjeç!

Gazeta Si – Roxher Federer ka qenë një zotëri në fushë dhe jashtë saj, e dinë të gjithë. Zvicerani, në një intervistë për ‘iNews’, ka thurur elozhe për mikun Novak Gjokoviç, i cili sapo fitoi titullin e 23-të Slam në karrierë, pasi mundi Kasper Rud në finalen e Roland Garrosit.

“Besoj se Novak ka bërë diçka të pabesueshme, është diçka e madhe për tenisin. Ai vazhdon të shtojë rekorde në atë që kemi bërë unë, Rafael Nadal dhe Serena Uilliams”, – është shprehur Federer.

Roxher Federer. Gazeta Si, 16 qershor 2023

Zvicerani, që me 20 Slam qëndron në podin e të gjitha kohërave (Nadal ka 22 dhe Gjokoviç 23), shpjegon madhështinë e serbit: “Kujtoj që kur u futa në tenisin e madh Pit Sampras kishte 14 Grand Slam, shumë nga ne mendonin se ai rekord do të mbetej përgjithmonë. Pastaj u bënë 15, 17, derisa shkova në 20.

Pastaj Rafa shkoi në 22 dhe tani Novak ka arritur 23 Slam. I uroj më të mirën në vazhdim! Ta bësh këtë gjë në moshën 36-vjeçare nuk është e lehtë. Nuk ka asgjë të lehtë, është e pabesueshme. Isha shumë i lumtur për të pasi e pashë në finale”.

Dhe duke qenë se flitet për ‘Fab Four’, Federer nuk harron Endi Mërrein. “Sapo ka fituar një Challenger në Surbiton, pikërisht javën kur Gjokoviç arriti rekordin e 23 Slam-eve. Meriton respekt, jam një fans i madh i Mërreit dhe i uroj suksese në Uimbëlldon, në turneun e preferuar. Shpresoj të fitojë sa më shumë ndeshje.

Endi është një njeri special, e dashuron vërtet tenisin, është shumë bukur ta shikosh të luajë pas aq shumë situatash të komplikuara që ka pasur me dëmtimet. Rezultatet e tij janë të jashtëzakonshme”, – ka përfunduar Federer.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë