Kjo ishte pyetja përpara Gjykatës së Bashkimit Europian, të cilës i ishte kërkuar për të përcaktuar nësë një kompani gjermane mund të kërkonte të drejta ekskluzive për djathin e shkrirë tradicional të saj.
Shija është “një ide,” vendosi gjykata. Nuk është një “shprehje e një krijimi intelektual origjinal,”dhe për këtë nuk mund të mbrohet me ligj.
Çështja është sjellë pesë vite të shkuara nga kompania gjermane Levola. Ajo ka shitur djathin Heks’nkaas, një djathë të bardhë të mëndafshtë, që nga viti 2001. Është një përzierje e kremit të djathit, majdanozit, hudhrave dhe qepëve të njoma. Në 2013, kompania rivale Smilde nisi të prodhonte një djathë të shkrirë të quajtur Witte Wievenkaas. Produkti përmbante shumë prej ingredientëve të ngjashëm.
Levola tha që diçka nuk shkonte, duke akuzuar Smilde se kishte kopjuar produktin e saj.
Por gjykata nuk u bind, duke thënë se vetëm “krijimi origjinal intelektual” është i pranueshëm për patentë.
“Subjekti i mbrojtur me të drejtën e autorit duhet të shprehet në një mënyrë që e bën të identifikueshme me saktësi dhe objektivitet të mjaftueshëm,” u shpreh gjykata, si një libër, një shfaqje televizive ose një vepër arti. “Në lidhje me këtë, Gjykata zbuloi se shija e një produkti ushqimor nuk mund të identifikohet me precizion dhe objektivitet.”
Gjykata tha se shija është subjektive dhe njerëz të ndryshëm e shijojnë në mënyrë të ndryshme ushqimin. Prandaj, një shije nuk është e njëjta gjë si të thuash, një film ose një libër, që është i pandryshueshëm. Shijet “varen mes të tjerave, nga faktorë të veçantë për personin që provon produktin në fjalë, siç janë mosha, preferencat e ushqimit dhe zakonet e konsumit, si dhe mjedisin ose kontekstin në të cilin produkti konsumohet “, tha gjykata.
Padia nuk është aq e çmendur sa tingëllon. Në vitin 2006, gjykatat holandeze vendosën se Lancome mund të kishte të drejtën e autorit të aromës së parfumeve të saj. (Në vitin 2013, gjykatat franceze zbuluan të kundërtën.)
Avokati i pronësisë intelektuale europiane Joshua Marshall i tha New York Times se vendimi kishte kuptim. “Të drejtat e autorit nuk duhet të përdoren për të ndaluar përhapjen dhe përdorimin e ideve,” tha ai. “Shija e një djathi me hudhra është me të vërtetë një ide.”
Burimi: The Washington Post
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




