Lojëra me Dore

Denver fiton titullin e parë në NBA me një super Jokiç, dorëzohet Majemi

Gazeta Si – Fitorja 94-89 në ‘Pepsi Center’ vlen 4-1-shin për Nuggets, që shpallen kështu kampionë të NBA-së. Majemi është dorëzuar në ndeshjen e 5-të. Shkëlqen sërish Nikola Jokiç me 28 pikë dhe 16 ribaunde. Serbi është zgjedhur lojtari më i mirë i finaleve.

Denver Nuggets festojnë dhe hyjnë në histori, Majemi pëson një tjetër humbje në NBA Finals. Ka përfunduar kështu sezoni i basketbollit amerikan, me suksesin e merituar të Jokiç me shokë, të cilët kanë siguruar unazën pas fitores 94-89 në ndeshjen e 5-të, që mbyll llogaritë në 4-1.

Nikola Jokiç, lojtari me i mire i finaleve ne NBA. Gazeta Si, 13 qershor 2023

Basketbollisti serb bëri një ndeshje tjetër të një niveli të lartë: 28 pikë dhe 16 ribaunde. Jokiç është zgjedhur MVP i Finals, pasi i dhuroi skuadrës së tij titullin e parë kampion në histori. Rezultatet e Denver ishin fantastike: 4-1 ndaj Minesotas, 4-2 ndaj Feniks, 4-0 ndaj Lejkërs dhe 4-1 ndaj Majemit. Me këto rezultate bindëse Denver bëri të vetin titullin në NBA.

Ndeshja e fundit ishte e mbushur me kthesa të papritura, me tension dhe faza loje të luftuara. Në fillim u duk gjithçka në favor të Majemit, që në mesin e ndeshjes ishte +7 pikë, por Denver iu afrua dhe pastaj e parakaloi 1 minutë e gjysmë nga fundi.

Rezultati dhe përqindja ishin të ulëta për të dyja skuadrat, me një 5/28 për tre për Nuggets. Në atë tension ai që magjepsi ishte sërish Nikola Jokiç, lojtari që dominoi gjithë fazën e play-off-it. Suksesi i Denver vjen pas një ecurie monstruoze në play-off (16 fitore dhe 4 humbje) dhe mund të sjellë tashmë një dinasti të re në NBA.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë