Miliona votues turq u drejtohen këtë të diel qendrave te votimit për të hedhur votën e tyre në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Procesi ka nisur në orën 08:00 të mëngjesit me kohën lokale dhe do të përfundojë në orën 17:00.
Votuesit do të zgjedhin midis presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe kandidatit të opozitës, Kemal Kılıçdaroglu për një mandat pesëvjeçar.
Balotazhi u caktua pasi asnjëri nga kandidatët në raundin e parë të mbajtur më 14 maj sëbashku me zgjedhjet parlamentare, nuk arriti të fitojë shumicën e thjeshtë, ose më shumë se 50 për qind të votave. Megjithatë, presidenti Erdogan kryesoi në raundin e parë me 49,52 për qind.
LEXO EDHE:
– Erdogan dhe Kiliçdaroglu ‘në garë’ për votat e nacionalistëve
– Shkrimtarja e njohur turke, Elif Shafak: Vështirë të mposhtet Erdogani, por është e drejtë të shpresojmë
Kjo ishte hera e parë në 20 vjet sa është në pushtet që Erdogan nuk fitoi zgjedhjet në rundin e parë.
Një ditë para balotazhit, Erdogan u bëri thirrje turqve që të dalin në votime, teksa Kilicaroglu bëri thirrje që shteti të largohej “nga errësira” që sipas tij është futur gjatë qeverisjes dydekadëshe të Erdoganit.
Opozita i ka parë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të majit, si mundësinë më të mirë për të rrëzuar nga pushteti Erdoganin dhe për të hequr dorë nga ndryshimet që presidenti turk ka bërë në shtet.
Dy kandidatët kanë përqendruar fushatën për balotazh në përpjekjet për të bindur rreth 8 milionë votues, që nuk votuan në rundin e parë të zgjedhjeve.
Në zgjedhjet e 14 majit, përveç zgjedhjeve presidenciale, u mbajtën edhe ato parlamentare, dhe partia e Erdoganit, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) fitoi shumicën parlamentare.

Dy kandidatët
Presidenti turk, Erdogan gëzon sidomos mbështetjen e turqve konservatorë, që ndjeheshin të diskriminuar në një Turqi laike. Por popullariteti i tij ka rënë pas problemeve të mëdha të shkaktuara nga inflacioni.
Duke folur para mbështetësve të tij në Stamboll, në përmbylljen e fushatës më 27 maj, Erdogan bëri thirrje për dalje të lartë në zgjedhje.
“A do të vrapojmë nesër drejt qendrave të votimit? A do të votojmë që në mëngjes? Nuk do të mungojë askush që ka votuar në rundin e parë”, tha ai.
“Ne do të inkurajojmë qytetarët që nuk dolën në rundin e parë të zgjedhjeve. A do ta përfundojmë punën që mbeti përgjysmë më 14 maj, me një shumicë dërmuese, duke e bërë diferencën më të madhe nesër?”, u shpreh presidenti turk.
Kundërshtari i Erdoganit, Kemal Kiliçdaroglu ka thënë, se do të drejtojë Turqinë me një kurs të ri, do të ripërtërijë demokracinë pas vitesh të shtypjes shtetërore të Erdoganit, do të kthehet tek një politikë e qartë ekonomike dhe do të përmirësojë marrëdhëniet me perëndimin. Nëse ai do të fitonte, mijëra të burgosur politikë do të liroheshin.
Ai është kandidat i aleancës opozitare të përbërë prej gjashtë partish, tha se kushdo që e do Turqinë duhet të votojë në rundin e balotazhit.
“Nëse vërtetë doni, ne mund të dalim së bashku nga kjo gropë e errët”, shkroi ai në Twitter. “Po i bëj thirrje të gjithë popullit, pavarësisht pikëpamjeve që kanë. Kjo është ndalesa e fundit. Të gjithë që e duan shtetin e tyre duhet të dalin të votojnë”, tha ai.
Erdogan më herët gjatë kësaj jave mori mbështetje nga Sinan Ogan, politikanit nacionalist që doli kandidati i tretë në rundin e parë. Ogan, që tha se do ta mbështesë Erdoganin në balotazh, në rundin e parë të zgjedhjeve arriti të merrte 5.2 për qind të votave.
Kilicdaroglu, që është kryetar i partisë më të madhe opozitare, Partisë Popullore Republikane (CHP), arriti të fitonte mbështetjen për balotazh të Partisë Fitorja, që ka qëndrime kundër migrantëve.

Si paraqitet sistemi politik në Turqi?
Zgjedhjet presidenciale turke jo vetëm që do të përcaktojnë se kush do ta udhëheqë Turqinë – shtetin anëtar të NATO-s me 85 milionë banorë – por edhe si do të udhëhiqet shteti, cilin drejtim do të marrë ekonomia e cila është goditur nga kriza e kostos së jetesës, dhe do të formësojë politikën e jashtme.
Që nga themelimi i saj në 1923, Republika Turke ka qenë një demokraci parlamentare sipas kushtetutës. Por sipas dëshirës së Erdoganit, kjo u ndryshua. Dhe kjo është ajo që bëri partia në pushtet AKP, me mbështetjen e partnerit të saj ultra-nacionalist MHP, në vitin 2017. Sistemi presidencial u fut më pas me zgjedhjet e 2018. Që atëherë, presidenti është kreu i shtetit, i cili drejton edhe qeverinë. Zyra e Kryeministrit nuk ekziston më.
Presidenti zgjidhet drejtpërdrejt nga populli për pesë vjet dhe ka kompetenca të gjera sipas sistemit të ri. Ai emëron dhe shkarkon ministrat dhe zyrtarët e lartë sipas gjykimit të tij, dhe gjithashtu kryeson kabinetin. Ministrat që emëron ai mund të emërojnë guvernatorë dhe zyrtarë shtetërorë në provinca dhe qarqe, kështu që presidenti mund ta ushtrojë ndikimin e tij edhe në komunitetet lokale.
Kreu i shtetit ka gjithashtu kompetencë të nxjerrë dekrete presidenciale dhe të emërojë poste të shumta në gjyqësor, financë dhe arsim. Postet më të rëndësishme të shërbimit sekret ose autoriteti i fuqishëm fetar Diyanet janë gjithashtu në varësinë e drejtpërdrejtë të Presidentit.
Me futjen e sistemit presidencial u hoq edhe parimi që Presidenti duhet të jetë mbipartiak. Presidenti në largim Rexhep Tajip Erdogan ishte kështu në gjendje të mbante presidencën e partisë së tij islamike konservatore në pushtet, AKP. Që atëherë, praktikisht nuk ka pasur ndarje të funksioneve dhe mandatit.
Një fitore për Erdoganin do të mundësonte vazhdimin e qeverisjes së këtij lideri që ka transformuar Turqinë, duke riformuar shtetin laik të themeluar 100 vjet më parë për ta përshtatur me vizionin e tij për një shtet më fetar. Humbja e tij po ashtu do t’i jepte fund rrugës e më autoritare të Qeverisë së tij.
Kilicdaroglu ka premtuar se ai do të ndryshojë drejtimin e ekonomisë nëse fiton zgjedhjet. Ai po ashtu ka thënë se dëshiron të ndryshojë sistemin politik dhe ta kthejë shtetin në sistem parlamentar. Kilicdaroglu po ashtu ka premtuar se do të rivendosë pavarësinë e gjyqësorit.

A ka rëndësi Parlamenti?
Gjatë mandatit të tij, Erdogan e përshtati pas vetes aparatin shtetëror dhe i zgjeroi vazhdimisht kompetencat e tij.
Edhe pse numri i deputetëve u rrit nga 550 në 600 me futjen e sistemit presidencial, Erdogan e bëri parlamentin turk të parëndësishëm. Në mund të diskutohen dhe miratohen edhe më tej ligje, por kampi i qeverisë me shumicën e tij dominuese ka bllokuar të gjitha projektet e opozitës në parlament dhe vetëm ka shtyrë agjendën e tij politike. Me shumicën e saj, qeveria ka penguar edhe kërkesat e opozitës, si ngritja e komisioneve hetimore pas fatkeqësive të mëdha apo akuzave për korrupsion. Në shumicën e rasteve, qeveria as iu është përgjigjur pyetjeve të opozitës.
Katërmbëdhjetë parti përfaqësohen në parlament, shumë prej të cilave kanë arritur të kalojnë kufirin e 7% falë aleancave elektorale.

Cilat janë aleancat?
Tri aleanca zgjedhore luajnë një rol vendimtar në zgjedhjet legjislative; “Aleanca Popullore” e Erdoganit, “Aleanca e Kombit” e bllokut më të madh opozitar dhe “Aleanca e Punës dhe Lirisë” e udhëhequr nga HDP pro-kurde.
Përveç AKP-së, Aleanca Popullore e Erdoganit ka përfshirë prej vitesh ultra-nacionalistët MHP dhe BBP. Aleancës së fundmi iu bashkua “Partia e Mirëqenies së Re”, që buron nga ideologjia islamike Milli Görüs. Veç kësaj aleanca e Erdoganit mbështetet nga partia islamike radikale pro-kurde HÜDAPAR, e afërt me organizatën terroriste turke Hezbollah. Disa komunitete myslimane ortodokse me shumë anëtarë gjithashtu bëjnë hapur publicitet për Erdoganin dhe aleancën e tij, pasi gëzojnë shumë privilegje nën presidentin Erdogan dhe rrezikojnë t’i humbin ato përndryshe.
Aleanca më e madhe opozitare përbëhet nga gjashtë parti me prejardhje shumë të ndryshme politike. Kandidati presidencial i saj, Kemal Kilicdaroglu, i cili dinte t’i bashkonte, gëzon respektin e shumë kritikëve të qeverisë. Për Kiliçdaroglun është edhe aleanca kurdo-socialiste “Aleanca për Punë dhe Liri”.
Kryesorja në këtë aleance të tretë është partia pro-kurde HDP. Kundër saj është në vazhdim një proces gjyqësor për ta ndaluar. Mijëra anëtarë të saj janë në burg për terrorizëm dhe pothuajse të gjithë kryebashkiakët e HDP-së janë shkarkuar.
Ish-kreu i partisë Selahattin Demirtas, i burgosur prej shtatë vjetësh në një burg të sigurisë së lartë zhvillon një fushatë efektive nga burgu kundër Erdoganit dhe qeverisë së tij. Ai i dërgon mesazhet e tij publikut përmes avokatëve të tij, të cilat gjithashtu përcaktojnë pjesërisht zhvillimin e fushatës zgjedhore, veçanërisht në lidhje me çështjen kurde. Burimet: REL/VOA/Reuters
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



