Drejtësia

U futën në uzinën e Gramshit duke sulmuar rojet, gjykata liron dy rusët dhe ukrainasin

Gjykata e Elbasanit ka liruar nga paraburgimi dy rusët Svetlana Timofevaa dhe Mikhail Zorin si dhe ukrainasin Fedir Alpatov, të akuzuar për incidentin në uzinën e armëve (sulmuan me spraj kimik 2 ushtarët shqiptarë, si dhe fotografuan objektin ushtarak) në Gramsh vitin e kaluar.

9 muaj pas arrestimit, togat e zeza vendosën që Zorin të lihet në arrest shtëpie, ndërsa të pandehurit Svetlana Timofevaa dhe Fedir Alpatov do të jenë të lirë, por prokuroria ka urdhëruar bllokimin e pasaportave të tyre.

Shkak për lirimin me kërkesë të akuzës, është bërë mbarimi i afateve të paraburgimit, ndërkohë që prokurorisë nuk i ka mbërritur ende ekspertiza që lidhet me pajisjet fotografuese dhe ato të vëzhgimit me të cilat u ndaluan pranë uzinës së Gramshit në gusht 2022.

Dy rusët  Mikhail Zorin, 23-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33-vjeç dhe ukrainasi Fedir Alpatov, 25 vjeç mbahen në burg që prej datës 20 gusht, ditë kur dhe ndodhi incidenti në uzinën e Gramshit.

Mikhail Zorin u konfliktua me 2 ushtarët shqiptar që e pikasën, Albi Bici dhe Ardian Xhaka, ndërsa Svetlana Timofoeva dhe ukrainasi po qëndronin në një makinë “Chevrolet camaro” me targa ukrainase AX 6200 IP.

Në makinën me targa ukrainase, që po përdorej prej tyre gjatë qëndrimit në Shqipëri u gjetën 2 dronë, 4 celularë, 1 laptop, 1 kamer, karta memorie, 3 pasaporta, 2 aparate fotografikë, harta, të cilat u sekuestruan nga policia.

Të tre u vunë në pranga dhe akuzohen për “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim .


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë