Një manjat italian i verërave të Piemontit, i cili kish parapëlqyer të mbetej anonim, kërkonte të gjendej” Il Manuale dell’amore”, i shkruar nga dora e Giacomo Casanova-s, i mbiquajtur “aventurieri i Venecias”, “joshësi i përjetshëm”, “ngashënjyesi i madh”, “mjeshtri i erotikës”, “artizani i seksit” apo “princi i dashurisë”, më i madhi i të gjitha kohërave, apo thjesht “Veneciani gjenial”. Një vepër e tillë ishte e padëgjuar gjer asokohe. Në kujtimet e tij, të shkruara përgjatë trembëdhjetë viteve të fundit që Casanova jetoi në kështjellën e Dux-it apo Duhcov, në Republikën Çeke, si bibliotekari i kont Ëaldstein-it, të cilat ia la të nipit, Carlo Angiolini-t, në formën e një dorëshkrimi prej 3700 faqesh në pranverën e vitit 1798, pak përpara se të largohej nga jeta, nuk përmendet asnjë manual dashurie. Bota do t’i njihte për së pari këto kujtime disa dekada më vonë, më 1882, të botuara nga Brockhaus në Lajpcig, në gjermanisht, të cunguara dhe të ndryshuara nga botuesi, dhe mëpastaj të plota me titullin origjinal Historia e jetës sime, në vitin 1960. Asnjë gjurmë e dukshme e manualit as në rrëfimin autobiografik me titull Historia e arratisjes sime nga “I Piombi”, që Casanova e shkroi në frëngjisht, e botuar në gjallje të tij, dhe që tregonte episodin më të famshëm të jetës së dashurorit të zjarrtë, mbylljen në burgun e tmerrshëm I Piombi të Venecias, qëndrimin prej pesëmbëdhjetë muajsh jermi në “ferrin e Serenissima-s”, dhe arratisjen e bujshme prej tij. Biografët e shumtë të Casanova-s, jo vetëm nuk e përmendin manualin e dashurisë, por nuk kanë bërë as aludimin më të vogël për të. Ekzistonte megjithatë një gjurmë, fare e zbehtë, por që ishte sidoqoftë një fillesë, nga ku nisi rrugën ekspedita e Fox-it: një ilustrim botimi. Më saktë, dy ilustrime, të cilat manjati i verërave të Piemontit i vuri në dispozicion të departamentit të historisë së lashtë të Trinity College-it, së bashku me një shumë të madhe të hollash, e cila do të bënte të mundur punën e atij departamenti për disa vite me radhë. Ilustrimi i parë, më i detajuar, ndodhej në botimin e dytë të romanit filozofik dhe fantastiko-shkencor Icosameron të Casanova-s.
Ishte një botim që e kish parë dritën, po ashtu, në gjallje të autorit dhe pak kohë pas botimit të tij të parë, i cili ishte shtypur në Pragë më 1788 dhe në frontespic mbante portretin profil në medaljon të Casanova-s. Nuk kishte asnjë ilustrim tjetër. Në këtë botim të Icosameronit, pothuaj të panjohur, ndodhej një numër gravurash si ilustrime. Ishin gravura të mrekullueshme që rrëfenin aventurat e Edouard-it dhe Elisabeth-ës, personazheve kryesorë të romanit, të cilët kaluan tetëdhjetë vjet te banorët e Protokozmosit, në brendësi të globit tonë. Në mes tyre, ndodhej një gravurë që nuk kishte asnjë lidhje kuptimore dhe teknike me ilustrimet e romanit. Ajo dukej sikur gjallonte në një klimë krejt të vetën dhe të shkëputur nga pjesa tjetër ilustruese. Porse analizat shkencore që u bënë, vërtetuan faktin se gravura në fjalë ishte pjesë organike e botimit, dhe se nuk ishte ndërfutur më pas. Ato treguan gjithashtu se ishte realizuar përpara gravurave të tjera dhe i përkiste, po ashtu, një tjetër artisti. Pra ishte vendosur aty për të përmbushur një mision të caktuar - ai ilustrim ishte çelësi i një kumti të fshehtë: paraqiste një buduar të fisëm me tapiceri, perde, shandanë dhe orendi të zbukuruara me ornamente të pasura, i cili mbante në qendër të tij dy zonjëza aristokrate. Ishte një lloj tjetër dekori nga ai i piktorit Guardi me titullin Foltorja e murgeshave të Shën Zaccaria-s, i cili shërbeu për ilustrimin e takimeve të para dhe ballon me maska në manastirin e Murano-s, ku murgeshat C. C. dhe M. M., sipas kujtimeve të Casanova-s, e joshën djaloshin.
Biografët e shumtë të Casanova-s, jo vetëm nuk e përmendin manualin e dashurisë, por nuk kanë bërë as aludimin më të vogël për të.
Porse ishin po ato portrete grash, me po atë vështrim të etur për aventura, tanimë me veshje të fisme në vend të petkave të murgërisë, të cilat, në të tjera gravura ilustruese, pasi ishin argëtuar me njëra-tjetrën, duke krahasuar kraharorin, gushën dhe gjinjtë e zbuluar rrezëllitës nën vështrimin gjykues e të epshët të Casanova-s, lodronin më pas të tre në të njëjtin shtrat. Njëra e ulur në një kolltuk, krahët e të cilit përfundonin me qafa mjellmash të shtrira, mbante një maskë veneciane përpara fytyrës gazmore dhe supeve i varej një pelerinë e zezë burrërishte, çka tregonte se porsa kish mbërritur e maskuar si mashkull, ndërsa tjetra, me një floknajë të dendur, derdhur përmbi nënkresa të shumta, e lëshuar në limonti përmbi një kanape të ulët me mbulesa të çmuara, dhe me kraharorin fort të bëshëm të zbuluar, dukej sikur prehej pas dashurisë. Midis këtyre dy krijesave të mrekullueshme, në sfond, ndriçohej mirë një fisnik i ulur përpara një shkrimëtoreje me penën në ajër. Përmbi shkrimëtore dallohej qartë titulli i dorëshkrimit: Il Manuale dell’amore. Fisniku ishte gjallë, portreti i Casanova-s. Ilustrimi i dytë, i natyrshëm dhe organik me tërësinë e veprës në të cilën ndodhej, shfaqej në rrëfimin autobiografik të Casanova-s me titull Historia e arratisjes sime nga “I Piombi”, botuar më 1788. Casanova tregon atë që paraqet ilustrimi: në dhomën e tij, ai vetë përballë Messer Grande-s, shefit të policisë së Inkuizitorit të Madh, i cili ndodhet aty së bashku me dy roja të armatosura me shtiza të gjata që e kalojnë kokën e tyre. “…Messer Grande mori gjithashtu librat që kisha në komodinën e shtratit: Arioston, Horacin, Petrarkën… Ndërsa Messer Grande po korrte dorëshkrimet, librat dhe letrat e mia, unë nisa të vishesha mekanikisht, as shpejt, as ngadalë…”. Polici i inkuizicionit në gravurë ka shtrirë dorën e majtë drejt Casanova-s, i cili duket sikur fsheh pranë trupit dorëshkrimin që mban në dorën e djathtë, ndërkohë që në dorën e majtë të nxjerrë përpara mban një libër të paidentifikueshëm. Përmbi dorëshkrim lexohet vetëm një pjesë e titullit: Il Manuale…
Porse ishin po ato portrete grash, me po atë vështrim të etur për aventura, tanimë me veshje të fisme në vend të petkave të murgërisë, të cilat, në të tjera gravura ilustruese, pasi ishin argëtuar me njëra-tjetrën, duke krahasuar kraharorin, gushën dhe gjinjtë e zbuluar rrezëllitës nën vështrimin gjykues e të epshët të Casanova-s, lodronin më pas të tre në të njëjtin shtrat.
Ekspedita e Fox-it u vu në kërkim të veprës së panjohur Manuali i dashurisë, me autor të hamendësuar Giacomo Casanova de Seingalt-in, duke përndjekur këtë gjurmë, dhe iu desh të futej me shumë durim, në xhunglën e jashtëzakonshme të jetës shumëfaqëshe të atij personazhi të rrallë, lojcak dhe të paqëndrueshëm si uji i vendlindjes, kujtimet e të cilit ishin quajtur enciklopedia e shekullit XVIII. Ai që bota mbarë e njeh si joshësin e madh, apo si njeriun e vetëm 10 që mundi të arratisej nga burgu i famshëm I Piombi, ishte filozof, një nga shkrimtarët e shquar të rilindjes evropiane, abat, matematikan, ekspert financiar, dhe si i tillë, ishte i pari që futi në Francë atë që mund të quhet stërgjyshja e llotarisë, ishte, po ashtu, aventurier, mason, muzikant, libretist, okultist, alkimist, spiun… Ai që lindi në qytetin e karnavaleve, në Venecian përherë të lagësht, e cila konsiderohej si simboli i seksit femëror të Evropës, shkroi më mirë se kushdo për karnavalet njerëzore dhe la një vepër të gjerë, brenda së cilës nevojitej dije dhe përvojë e madhe për të lëvizur me zhdërvjelltësi dhe pa e humbur drejtimin. Ngrihej përpara ekspeditës si një mozaik gjigant i çmuar, plot ngjyra, ku për të gjetur një guriçkë nevojitej arti, përkushtimi dhe koha e mjeshtërisë së argjendarit. Porse ia vlente barra qiranë. Ekipi trevetësh i Fox-it u vu të hetonte, jo vetëm veprën e tij labirintike, por edhe skicat, gravurat, vizatimet që botuesit e shekullit XIX dhe XX ia shtuan hedonizmit të rrëfenjësit, në 11 formën e kënaqësisë së ilustrimit artistik. Ishte një përputhje e arrirë e botës së imazheve në të cilën jetoi Casanova dhe ku mori hov një krijimtari tepër e lartë artistike, si në pikturë ashtu edhe në muzikë, në arkitekturë dhe dekor, dhe fjalëve, rrëfimit, kujtimeve të Casanova-s që mëtonte të lexohej nga një publik shumë më i gjerë se ai erudit.
Ekspedita e Il Manuale dell’amore u vu të gjurmonte, po ashtu, ngrehinat, pallatet, shtëpitë private, ato që patën mbetur të pandryshuara që nga ajo kohë dhe me orendi të ruajtura mirë, rrugët e ngushta, të gjarpërta dhe të ngarkuar me histori të Venecias, të lidhura ngushtë me episodet jetike të Casanova-s, muzetë, antikuarët, koleksionuesit e apasionuar venecianë… Ishte një ndërmarrje që pati shtrirje të madhe gjeografike, e cila përfshiu Venecian, Romën, Francën, Gjermaninë, Çekinë… dhe që ia ndryshoi përgjithmonë jetën profesorit të arkeologjisë dhe historisë së lashtë të Universitetit të Tiranës, Arbër Muzakës, i 12 cili arriti të bëhet një nga studiuesit më të njohur të ezoterizmit të Casanova-s dhe magjistarëve të njohur të epokës të tij, duke ia damkosur ekzistencën me një tragjedi të padëgjuar. * Ekipi i Fox-it mbërriti në Venecia një fillimshtatori të vapët, në vigjilje të panairit më të madh të antikuarëve në Campo San Maurizio. Kthehej krejt duarbosh nga qëndrimi disaditor në Duhçov, në Çeki ku jetoi dhe punoi si bibliotekar Casanova. Dhe një tis misteri i trishtë u shihej të treve në sy. E patën nisur rrugëtimin nëpër gjurmët e jetës së Casanova-s nga fundi, nga shuarja e tij. E mëpastaj gjurmuan me radhë Gjermaninë, Vienën, Parisin, oborrin e Luigjit XV dhe Madame de Pompadouri-it. Udhëtuan në veri të Çekisë, në Teplice, dhe mbërritën në një vend malor të humbur, ku ngrihej një kështjellë luksoze, madhështore, në stilin e kështjellave të Francës. Kishte në këmbët e saj tërë fshatin dhe rrethohej nga një park i mrekullueshëm. Ishte domeni i Waldstein-it, çambellanit të mbretit. Aty pati jetuar si bibliotekar dhe kish shkruar veprën e tij që nga viti 1785 e gjer më 1798, kur mbylli sytë, Giacomo Casanova. Ekspedita kish vëzhguar bibliotekën e kështjellës dhe dhomat e artistit italian, dhomën e gjumit ku ndodhej shtrati i tij me baldakin dhe kabinetin e punës ku kish shkruar veprën, ku kish mbajtur letërkëmbimin e dendur me Katerinën e Rusisë, Frederikun e II, Voltaire-in e të tjerë, dhe ku së bashku me libretistin e Moxart-it, Lorenzo da Ponte-n, kishin shkruar me katër duar Don Zhuanin. Thuhej se da Ponte i pati veshur personazhit tiparet e Casanova-s, i cili nga ana e tij e kish përbuzur fundin e don Zhuanit. Kishin parë kolltukun Luigji XV, ku kish dhënë frymën e fundit Casanova, mbi të cilin tani qëndronte përjetësisht një trëndafil i kuq i gjallë.
Tani varri i Casanova-s thjesht nuk ekzistonte. Nuk ekzistonte asnjë gjurmë e tij. Ekzistonte vetëm një pllakë përkujtimore në fasadën e kishës Santa Barbara,
Por asnjë gjurmë nga ajo që kërkonin, ndonëse kishin zhdrivilluar dorëshkrimet e pakta të ndodhura aty, kishin gjetur certifikatën 14 e vdekjes së Casanova-s në arkivin e kështjellës, dhe kishin rrëmuar kudo në bibliotekë, - gjithçka aty, pas shkatërrimit dhe rindërtimit të kështjellës, dukej sikur ishte veç një nxitje kureshtie për turistët. Ato mure që kishin parë Goethe-n, Schiller-in, Chopin-in, më pas edhe Beethoven-in, tani jetonin për njerëzimin në sajë të kujtimit të Casanova-s. Mjeshtër të hetimit të varreve, të ndërtimit, pozicionit të tyre dhe deshifrimit të kumteve që shpesh mbanin epitafet e përshpirtshme, Fox-i dhe asistenti i saj i përhershëm, Nigel Bailey, shpresonin që jashtë kështjellës, në varrin e tij të pashmangshëm, të gjenin ndoshta një gjurmë që do t’i çonte në një drejtim. E kërkuan varrin me ngulm, në çdo cep e skutë të domenit të Duhchov-it, dhe nuk e gjetën kund. Askush nga njerëzit e kështjellës-muze nuk ishte në gjendje t’u përgjigjej pyetjeve të tyre, të gjithë ngrinin supet. Thuhej se e kishin varrosur shpejt, ja diku në parkun e kështjellës, ja në rrethinën e përmortshme të 15 kishës së vogël Santa Barbara aty pranë. Dhe një ditë ishte zhdukur. Pa nam e pa nishan. Asnjë dëshmitar, asnjë dëshmi. Tani varri i Casanova-s thjesht nuk ekzistonte. Nuk ekzistonte asnjë gjurmë e tij. Ekzistonte vetëm një pllakë përkujtimore në fasadën e kishës Santa Barbara, në gjermanisht: Jakob Casanova, Venedig, 1725 - Dux, 1798 dhe një legjendë, sipas së cilës, kryqi prej hekuri përmbi varrin e Casanova-s ishte shkëputur duke rënë diku mes barërave dhe, sidomos netëve pa hënë, peshkonte me thepat e tij ndonjë kind fustani të vajzave që kalonin andej pari. “Ky varr askund… është me siguri një magji e Casanova-s”, kish thënë profesoresha Fox kur ishin dorëzuar më në fund përpara realitetit të pabesueshëm të zhdukjes së varrit të Casanova-s, dhe një mister i thellë, i natyrshëm dhe i përligjur, u kish kapluar shpirtin. Gjatë rrugës së kthimit, kur po drekonin të tre në një bujtinë tipike të vendit me mish gici dhe lakër të bardhë të zier, duke pirë birrë të errët çeke, kishin folur 16 për praktikat e magjisë në shekullin XVIII dhe për episodin e jetës së Casanova-s, i cili, sipas fjalëve të tij, i pati ndryshuar jetën.
Mira Meksi vazhdon ta mbajë të mbërthyer lexuesin në magjinë e novelave dhe tregimeve të saj në librin e ri “Hakmarrja e Kazanovës”, libër që do të përurohet gjatë ditëve të Panairit të Librit, në Pallatin e Kongreseve, në stendën e botimeve “Onufri”.
Të vogël, gjyshja e pati çuar te një magjistare e Murano-s për ta shëruar nga një sëmundje fort e mistershme, e cila e detyronte të rrinte përherë me gojë hapur, ngase prej hundës i rridhte vazhdimisht gjak. Magjistarja e kish futur së pari në një sëndyk të errët dhe e kish lënë aty gjatë, duke e shtuar edhe më shumë tmerrin kur i kish pëshpëritur në vesh të mos kishte frikë, përpara se ta vinte në një regjim magjish me drogëra, pomada, temjanë dhe namatisje. Më pastaj e kish kërcënuar me tmerre nga më të paimagjinueshmet nëse hapte gojën dhe fliste për ato që kish parë aty. “Kështu”, shkruan Casanova, “rilinda nën shenjën e magjisë.”
Libri më i fundit i shkrimtares Mira Meksi ndjek ekspeditën e disa historianëve të lashtësisë në kërkim të misterit më të madh të jetës së Xhakomo Kazanovës, princit venecian të joshjes dhe njërit prek shkrimtarëve më të mëdhenj të Rilindjes europiane. Zbulimi i tij trondit jo vetëm biografët e tij por mbarë njerëzimin. Një tragjedi e padëgjuar pason…
Kujtimi i ardhur befas nga fëmijëria zbulon një dashuri të pathënë dhe një krim të vjetër pasioni.
E fshehta e dashurisë së përjetshme ndodhet në Malin e shpirtrave në një qytet legjendash në Spanjë. Deri ku shkon lidhja që krijohet mes shkrimtarit të madh dhe lexuesit të tij?
Mikja e zemrës kthehet nga vdekja për të shprehur një mirënjohje vrastare. Në ujërat e pasqyrave të moçme veneciane me cipë merkuri vallëzohet flamenko me taka metalike. Mira Meksi vazhdon ta mbajë të mbërthyer lexuesin në magjinë e novelave dhe tregimeve të saj në librin e ri “Hakmarrja e Kazanovës”, libër që do të përurohet gjatë ditëve të Panairit të Librit, në Pallatin e Kongreseve, në stendën e botimeve “Onufri”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.