Gazeta Si – Në ndeshjen e tretë mes Lejkersave dhe Denver ka ndodhur një incident i pavullnetshëm mes yllit të basketbollit amerikan dhe arbitrit Foster. Ky i fundit e ka marrë me të qeshur dhe ka bërë edhe një batutë.
Të përplasesh gjatë vrapimit me shpatullën e LeBron Xhejms nuk të bën mirë për shëndetin. E ka kuptuar mirë arbitri Skot Foster, një veteran në NBA, që gjatë ndeshjes së tretës Lejkërs-Denver është përplasur me muskujt e gjigantit të Los Anxheles.
Afër fundit të periodës së dytë, pas koshit të radhës të Jamal Mërrei, LeBron po vraponte në sulm, por gjatë rrugës gjeti arbitrin Foster, të cilin e mori përpara. Arbitri bëri disa hapa prapa, ndërsa buza e tij ishte gjakosur, me shumë mundësi nga bilbili që kishte në gojë.
LeBron po reklamonte një faull, por kur pa dëmin që kishte shkaktuar shkoi menjëherë për t’i kërkuar falje arbitrit, që mori ndihmën mjekësore nga stafi i Lejkërsave. “Ishte faji im”, – tha Xhejms, ndërsa Foster e mori me të qeshur episodin. “Qetësohu, e kuptova. Kishe 25 vjet që e prisje, apo jo?” – iu drejtuar ai basketbollistit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.