Lojëra me Dore

Roland Garros rrit shpërblimet, fituesi përfiton 2.3 milionë euro

Gazeta Si – Turneu Slam në dhe të kuq ka shtuar me 12.3% shpërblimet në krahasim me vitin 2022. Dalja që në turin e parë vlen 69.000 euro.

Kohët e fundit turnetë Slam janë vënë në garë për rritjen e shpërblimeve, një mënyrë kjo për të treguar forcën dhe për të tërhequr vëmendjen e lojtarëve në një moment politikisht jo të thjeshtë. Nuk mund të bënte përjashtim Roland Garros, që zhvillohet nga 28 maji deri më 11 qershor 2023.

Organizatorët kanë njoftuar një rritje të konsiderueshme shpërblimesh, +12.3% në krahasim me një vit më parë, për një total prej 49.6 milionë eurosh.

Një nga fushat e Roland Garros. Gazeta Si, 15 maj 2023

Në lojën tek, shuma rritet në 9.1% në krahasim me 2022-shin, ndërsa fituesi i turneut, për meshkuj dhe femra, do të marrë 2.3 milionë euro. Shpërblimi më i lartë në historinë e turneut. Sipas një deklarate të organizatorëve, rritja e shpërblimeve shërben për të garantuar një shpërndarje më uniforme mes lojtarëve.

Finalistët përfitojnë 1.150.000 euro, kurse gjysmëfinalistët 630.000 euro. Të arrish deri në çerekfinale do të thotë të fitosh një çek prej 400.000 eurosh, kurse në fazën e 1/8-ve fiton 240.000 euro. Turi i tretë do të thotë 142.000 euro shpërblim, turi i dytë 97.000 euro. Kush arrin të futet në tabelën kryesore, pavarësisht humbjes në turin e parë, përfiton 69.000 euro, ndërsa deri pak vite më parë arrihej deri në 25.000 euro.

Në përgjithësi, shpërblimet do të rriten 11.8% edhe në turet kualifikuese. Lojtarët që humbasin në turin vendimtar të kualifikueseve marrin 34.000 euro. Shifra të rëndësishme që do të japin më shumë oksigjen për pjesëmarrësit. Rritje edhe në lojën çift, në masën 4%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë