Policia e Vlorës ka vënë në pranga një 34-vjeçar, i cili kërkohej prej rreth thuajse një viti për trafikimin e rreth 1 ton marijuanë në drejtim të Italisë.
34-vjeçari ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “Syri”, të zhvilluar në korrik të vitit 2022.
Sipas policisë, G. L., është lokalizuar në lagjen “1 Maji” në Vlorë. 34-vjeçari ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin e datës 10.08.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Në bashkëpunim me 5 persona të tjerë të arrestuar në korrik të vitit të shkuar në Vlorë, ai dyshohet se ka transportuar një sasi prej 992 kg lëndë të dyshuar narkotike marijuanë, të ndarë në 153 pako, me 3 skafe, drejt një mjeti tjetër lundrues, në thellësi të ujërave të detit Jon dhe më pas e kanë nisur atë drejt Italisë.
Policia ka sekuestruar lëndë narkotike, 2 automjete dhe 4 mjete lundruese që u përdorën për transportimin e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.