Lojëra me Dore

Sabalenka ngre trofeun në Madrid, mund numrin 1 Shviatek në një finale spektakolare

Gazeta Si – Për tenisten bjelloruese është trofeu i dytë Wta 1000 në karrierë. Ajo ia doli të mundë për herë të parë numrin 1 të renditjes botërore në turneun spanjoll.

Dy vjet pas fitores ndaj australianes Barti (në atë kohë numri 1 në botë), Arina Sabalenka bëhet ‘mbretëreshë’ në Madrid. Bjellorusja fitoi titullin e dytë Wta 1000 në karrierrë, pasi mundi numrin 1, Iga Shviatek, në një finale të madhe që përfundoi 6-3, 3-6 dhe 6-3. Ndeshja zgjati dy orë e gjysmë.

Fituesja e Australian Open 2023 vazhdon vitin fantastik, duke thyer edhe një tabu, pasi Shviatek e kishte mundur gjithmonë në tre precedentët e turneut në dheun e kuq.

Diferencën në finalen e Madridit e bënë gjuajtjet fituese të Sabalenkës, gati trefishi i kundërshtares së saj. Shviatek reagoi në setin e dytë, duke treguar gjithë kualitetin e saj. Polakja e rriti shumë nivelin, duke e mbyllur setin në 6-3.

Në setin e tretë Shviatek pagoi sforcon fizike dhe Sabalenka u shkëput. Ndeshja dhuroi emocione të tjera më pas, sepse polakja u rifut në garë, duke shkurtuar në 3-2, me 8 pikë të njëpasnjëshme. Finalja ishte e paparashikueshme, jo më kot tenistet janë numri 1 dhe 2 në botë.

Sabalenka me trofeun e turneut te Madridit. Gazeta Si, 7 maj 2023

Arina vazhdoi me gjuajtjet e fuqishme, që e çuan në 5-3. Shviatek reziston dhe anulon tre ‘match point’-e, por në mundësinë e 4-t Sabalenka fiton ndeshjen me një gjuajtje të drejtë super.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë