Teater

10 projekte shpallen fituese të Fondit të Teatrit për të Rinj, buxheti në 2023 nga Ministria e Kulturës sa një vit më parë

Dhjetë projekte janë fituese në Fondin e Teatrit për të Rinj. Fondi me një buxhet 10 milionë lekë të reja do të ndahet për projektet, që do të zhvillohen në skenën teatrore gjatë këtij viti. Buxheti nga Ministria e Kulturës edhe këtë vit është në të njëjtën vlerë sa në vitin 2022, 10 milionë lekë .

Në shpalljen e fituesve një ditë më parë ishte e pranishme ministrja e Kulturës Elva Margariti, si dhe drejtori i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli” Gjergj Prevazi.

Fondi i Teatrit për të Rinj është një nismë e Ministrisë së Kulturës dhe për vitin 2023 nga 37 aplikime u përzgjodhën 10 fitues.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se për këtë fond artistët e rinj kanë propozuar pjesë të autorëve të huaj, por dhe vepra të dramaturgjisë shqiptare.

“Shpallëm fituesit e edicionit II të Fondit të Teatrit për të Rinj, kësaj nisme të Ministrisë së Kulturës dhe TKEKS, me një energji shumë të bukur e plot sfida të reja! Mes 37 aplikimeve bordi artistik i TKEKS zgjodhi 10 projekte fituese ku 2 janë regjisore vajza dhe 8 regjisorë djem. Mes tyre, artistët e rinj kanë propozuar 5 pjesë të dramaturgjisë shqiptare dhe 5 të dramaturgjisë së huaj”, shprehet Margariti.

Fituesit e “Fondit të teatrit për të rinj” janë: Aleksandër Kondi - vepra “Krim në hotel”, autori Samuel Bobrik dhe Ron Clarck;

Endrit Ahmetaj - vepra “Xhoni dhe Xhoi”, autori Agota Christoph;

Flobensa Bezati - vepra “Zot”, autori Woody Allen;

Gerti Palali - vepra “Qorri”, autori Gerti Palali;

Ina Mirinaj - vepra “Këngët e rinisë”, autor Migjeni;

Kriks Dumo - vepra “Konstalacionet”, autor Nick Payne;

Dhrami - vepra “Të parët dhe të fundit”, autor John Galswors;

Mariel Brahimllari - vepra“ E kuqe e errët”, autor Migjeni;

Rafael Hoxhaj - vepra “Ikja”, autor Bujar Hoxhaj dhe Shyqyri Caushaj - vepra “Audienca e Vaclav Havel”, autor Jeton Neziraj.

Shpërndarja e projekteve

Shpërndarja gjeografike e projekteve që janë fitues të “Fondit të Teatrit për të Rinj” këtë vit është Tiranë - 3 projekte; Durrës - 1 projekt; Elbasan - 1 projekt; Korçë - 1 projekt; Vlorë - 1 projekt; Shkodër - 2 projekte; Gjirokastër - 1 projekt.

I gjithë ky proces do të sjellë dhe festivalin “Hapat” në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, ku do të ndahen edhe çmimet e më të mirëve.

Një vit më parë, fitues të këtij fondi ishin 16 projekte. Më herët në thirrjen për aplikime në Teatrin Eksperimental thuhej se përmes “Fondit të teatrit për të rinj” synohet dhe gjallërimi dhe lëvizja teatrore në rang vendi.

“Përmes “Fondit të teatrit për të rinj, në vitin 2023”, me një shumë prej 10,000,000 lekë synohet:  nxitja dhe aktivizimi i krijuesve dhe interpretuesve të rinj; risjellja në një formë të re e festivalit të të rinjve; gjallërimi dhe lëvizja teatrore në rang vendi; krijimi i lëvizjes teatrore në bazë të rajoneve”, thuhej në njoftim.

Projektet teatrore përfituese nga ky fond do të realizohen nën kujdesin e Teatrit Kombëtar Eksperimental në bashkëpunim me teatrot e rretheve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë