Drejtësia

Lihet në burg rusi Mikail Zorin, spiuni u kap në uzinën e armëve në Gramsh

Gazeta Si – Gjykata e Elbasanit rrëzoi kërkesën e shtetasit rus Mikail Zorin për ndryshimin e masës së sigurisë pas 9 muajve në burg.

Mbrojtja vërejti se nga ana e organit të akuzës kishin përfunduar të gjitha aktet e ekspertimit, hetimet, si dhe ishin marrë provat, e për pasojë u kërkua revokim i masës së sigurisë ose zëvendësimi i saj, por që u rrëzua nga gjykatësja Matilda Fetahu.

Kështu, gjykata vendosi të lërë në burg Mikail Zorin, shtetasi rus i cili u arrestua në uzinën e armëve në Gramsh duke pranuar kështu kërkesën e prokurorit Kreshnik Ajazi.

Sipas akuzës, ka dyshime të forta bazuar edhe në provat e mbledhura, se tre të rinjtë Mikhail Zorin, Svetlana Timofeeva dhe Fedir Alpatov, mund të kenë ardhur në Shqipëri si të rekrutuar si spiunë me një mision të posaçëm, ku secili prej tyre ka pasur detyra të përcaktuara.

Sipas avokatëve mbrojtës, pretendimet për spiunazh nuk qëndrojnë, pasi prokuroria nuk ka paraqitur prova deri më tani.

Provat e deritanishme që hetuesit i kanë paraqitur gjykatës krahas dëshmive të ushtarëve dhe banorëve të zonës janë: materialet filmike dhe fotografi të ndryshme të bazave ushtarake, një automjet Chevrolet, 2 dronë, pajisje vëzhgimi për shikueshmëri natën, 1 laptop, karta telefoni, 1 fishek, 1 predhë fisheku si dhe pajisje të tjera.

Para 1 muaji Gjykata i refuzoi Rusisë kërkesën për ekstradim 33-vjeçares ruse, Timofevaa, duke pranuar kërkesën e kësaj të fundit për të qëndruar në Shqipëri.

Dy rusët, Mikhail Zorin, 23-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33-vjeç dhe ukrainasi Fedir Alpatov, 25 vjeç, mbahen në burg që prej datës 20 gusht, ditë kur dhe ndodhi incidenti në uzinën e Gramshit. Mikhail Zorin u konfiktua me 2 ushtarët shqiptar që e pikasën, Albi Bici dhe Ardian Xhaka, ndërsa Svetlana Timofoeva dhe ukrainasi po qëndronin në një makinë “Chevrolet camaro” me targa ukrainase AX 6200 IP.

Të tre u vunë në pranga dhe akuzohen për “Goditje për shkak të detyrës”, “Dhënie të informatave sekrete” dhe “Sigurim të informatave”, kryer në bashkëpunim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë