Politike

Ligji për pagat e reja u bllokua në Kuvend, Rama “fajëson” Majkon: Duan edhe deputetët rritje

Ligji për pagat nuk parashikohet të votohet nga Parlamenti përpara zgjedhjeve lokale të 14 majit. Këtë la të nënkuptojë kryeministri Edi Rama gjatë takimit elektoral të zhvilluar pasditen e së enjtes në Kukës.

Fajin për mos miratimin e ligjit për rritjen e pagave Rama ia hodhi deputetëve Kuvendit. Kryesocialisti reagoi dhe ndaj akuzave të opozitës që i ka shtyrë Edi Rama rritjen e pagave. “Pagat e mjekëve, mësuesve, punonjësve të sigurisë janë rritur edhe i marrin tani në maj. E dyta unë kam pasur një debat se për të gjithë të tjerët ligji për pagat e tjera duhet të miratohet në Parlament. Qeverisë dhe deputetëve duhet tu rriten pagat të fundit fare, domethënë vitin vjetër, kur të mbarojë rritja për të gjithë. Deputetët duan me i rrit tani, dhe është bllokuar për disa javë kjo punë, sepse duhet të më bindin mua, ose pastaj nuk e di se çfarë do të ndodhë”, theksoi Rama.

Ndërkohë ai garantoi se pavarësisht se kur do të bëhet votimi, efekti i rritjes së pagës do të nisë që nga prilli.

“Ama një gjë është e sigurt, se edhe në se rritja e pagave bëhet në qershor, të gjitha pagat do t’i marrin me gjithë prillin dhe majin së bashku. Këtë po e them këtu merreni e regjistrojeni këtë dhe kështu që asnjëri s’duhet të ketë shqetësim. Kështu që halli është deputetët duan të marrin rritjen e pagave tani, unë them jo! Ky është i vetmi problem, por këtë punë e di Pandi (Majko) që është në krahun e deputetëve”, theksoi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë