Gazeta Si – Zvicerani është sportisti i 9-të me të ardhurat më të mëdha gjatë 12 muajve të fundit, sipas ‘Forbes’, edhe pse ka luajtur vetëm në ‘Laver Cup’.
Tërheqja nga tenisi nuk e ka penguar. Roxher Federer qëndron atje ku të tjerët nuk mund të shkojnë, edhe pse goditjet spektakolare, vallëzimet në fushat e gjithë botës dhe titujt e fituar mbeten vetëm një kujtim.
Zvicerani mbetet mbret edhe pa raketë në dorë. Sipas klasifikimit të ‘Forbes’, nga 1 maji i 2022-shit deri në të njëjtën datë të 2023-shit, Federer ka qenë tenisti më i paguar në botë, me 95 milionë dollarë të ardhura në vit.
Roxher Federer është një perandori që ecën, që qëndron e fortë edhe pa luajtur. Fituesi i 20 Slam-eve ka fituar 125 mijë dollarë si shpërblime sportive gjatë vitit të fundit, pas pjesëmarrjes në ‘Laver Cup’. Të ardhurat e tjera vijnë nga aktivitetet jashtë fushe, me akorde të shumta sponsorizimi me brandet botërore.
Dhe është interesant fakti se të ardhurat e Federerit po rriten. Vitin e kaluar, kur tërheqja e tij nga tenisi nuk ishte zyrtare, arkëtonte 90.7 milionë dollarë. Shifra aktuale bën që Federer të jetë mes sportistëve më të paguar ën botë, përveçse i pari mes tenistëve. Ai është në top-10, saktësisht në vend të 9-të.
Përpara Federer janë futbollistët Kristiano Ronaldo, Lionel Mesi, Kilian Mbape, basketbollisti LeBron Xhejms, boksieri Kanelo Alvarez, golfistët Dastin Xhonson dhe Filip Mikelson dhe basketbollisti Stef Kërri. Pas zviceranit mbyll 10-shen e parë basketbollisti Kevin Durant.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.