Lojëra me Dore

Flamurtari ‘mbret’ në basketbollin e femrave, kampion për herë të 3-të radhazi

Gazeta Si – Basketbolli i femrave ka vetëm një emër në Shqipëri dhe ai është Flamurtari. Vlonjatet kanë fituar sot titullin e 3-të radhazi kampion, pasi kanë mundur Partizanin në finalen e katërt, duke i mbyllur kështu llogaritë me rezultatin 3-1.

Ky është titulli i 25-të në historinë e Flamurtarit, që këto vitet e fundit nuk njeh rivalë. Në ndeshjen e sotme, të zhvilluar në Pallatin e Sportit ‘Asllan Rusi’, skuadra vlonjate mundi 73-80 Partizanin.

Flamurtari feston me trofeun e kampionit. Gazeta Si, 2 maj 2023

Vajzat vlonjate, të udhëhequra nga kapitenia Tea Memushi, treguan forcën e tyre në fundin e ndeshjes në kryeqytet. Vetëm në periodën e parë ishte më mirë Partizani, 23-18, pastaj gjithçka foli për Flamurtarin, që fitoi periodën e dytë 16-19, të tretën 15-20 dhe të katërtën 19-23.

Sezoni aktual ka qenë i mbushur me trofe për Flamurtarin, që më parë ka fituar edhe Kupën e Shqipërisë, kupën e FSHB-së, Superkupën e Shqipërisë dhe Superkupën Mbarëkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë