Lojëra me Dore

Sherr në basketbollin e femrave, amerikania e Partizanit goditet edhe nga një tifoz

Gazeta Si – Një ngjarje e shëmtuar ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në basketbollin e femrave në Shqipëri, konkretisht në ndeshjen derbi mes Partizanit dhe Tiranës. Dy lojtare kundërshtare janë konfrontuar fizikisht mes tyre, ndërsa masat e sigurisë në pallatin e sportit ‘Asllan Rusi’ ishin zero.

Ndeshja ishte e vlefshme për fazën e ‘play-off’-it dhe Partizani siguroi kalimin në finale, ku do ndeshet me Flamurtarin, por gjithë vëmendjen e mori ajo që ndodhi sapo përfundoi sfida me Tiranën.

Nga sherri mes dy lojtareve ne Partizani-Tirana. Gazeta Si, 20 prill 2023

Sipas ‘Panorama Sport’, lojtarja amerikane e Partizanit, Antoinette Bannister, dhe ajo e Tiranës, Ebi Dishnica, u përplasën verbalisht dhe pastaj fizikisht. Dy lojtaret shkëmbyen grushte, ndërsa në parket u fut edhe një person, me shumë mundësi familjar i basketbollistes së Tiranës, që goditi me shkelm amerikanen.

Sjellje e shëmtuar e dy sportisteve, që me shumë vështirësi u ndanë nga stafet teknike dhe lojtaret e tjera, por më shumë shqetësuese është sigurua në aktivitete të tilla. Asnjë masë, vetëm dy persona përgjegjës për sigurinë e kanë të pamundur ta mbajnë situatën nën kontroll.

Në pallatet e sportit mund të ndodhë çdo gjë, rreziku është gjithmonë i pranishëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë