Teater

‘Fenomeni Peter Handke’ vjen në teatër, dramaturgu Neziraj: Fashizmi po prezantohet si ‘liri e shprehjes’

Nga Gazeta Si - Ku përfundon liria artistike dhe ku fillon nevoja për të qenë politikisht korrekt për një artist? A mund të krijojmë art pa u treguar të pandjeshëm? A mund ta ndajmë artin nga artisti?

Këto janë disa nga pyetjet që ngre “The Handke Project”, projekt teatror ndërkombëtar nën autorësinë e dramaturgut kosovar, Jeton Neziraj, që do të vijë premierë më 16 prill në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

“The Handke Project” ka temë qendrore dhënien e çmimit Nobel për Letërsi shkrimtarit austriak, Peter Handke, një vendim kontrovers përkundër mbështetjes së tij për Sllobodan Millosheviçin, i cili vdiq gjatë gjyqit për krime lufte në Hagë. Kjo mbështetje u zgjerua deri në një fjalim të Handkes pranë varrit të Millosheviçit.

Dramaturgu Jeton Neziraj thotë për Gazetën “Si” se laureati kontrovers  i çmimit Nobel për letërsi ka shërbyer si pikënisje për të eksploruar atë se si çmohet dhe promovohet arti atëherë kur i tejkalon kufijtë e dinjitetit themelor njerëzor, humanizmit dhe etikës. Sipas Neziraj në këtë shfaqje me interes nuk është personazhi Peter Handke, por fenomeni “Handke”.

“’The Handke Project’ është shkruar në vitin 2022. Si kompani teatrore, ne gjuajmë fantazma lufte, përbindësha të të gjitha profileve (edhe përbindësha ideologjik), kriminel lufte, shkatërrues jetërash e qytetesh dhe përgjithësisht i gjuajmë ata që shkaktojnë vuajtje, të cilitdo kamp që mund të jenë. E Peter Handke është njëri nga ta - fatkeqësisht. Por neve nuk na ka interesuar Peter Handke, por ‘fenomeni Peter Handke’. ‘Problemi Handke’ ka filluar kur ai është shpërblyer me çmime kredibile ndërkombëtare – njëherë nga Ibsen Award në Norvegji e pastaj edhe me çmimin Nobel për Letërsi. Handke është me interes për neve, jo si shkrimtar, por si fenomen i hipokrizisë evropiane që fashizmin (edhe atë letrar) ia del ta prezantoj si “liri të shprehjes” – madje edhe e shpërblen. Handke, në fakt, është produkt i një kohe jo fort të lavdishme të cilën po e jetojmë në Europë, i një fryme që nuk do të sjellë, pos vuajtje të reja”, shprehet dramaturgu Neziraj për Gazetën “Si”.

Me regji nga Blerta Neziraj shfaqja teatrore me në rol kryesor aktorin e njohur Arben Bajraktaraj, sipas Jeton Neziraj tenton të nxjerrë në pah mohimin e së vërtetës, pra faktet e luftës në ish-Jugosllavi. Pjesë e kastit janë edhe aktorët: Ejla Bavćić, Adrian Morina, Klaus Martini, Verona Koxha, Anja Drljević.

“Me librat dhe qëndrimet e tij, ai ka fabrikuar e ka përmbysur faktet e atyre luftërave. Intervenimet politike të Handkes, të cilat ai vetë shpesh i quan thjesht si ‘letërsi, mbajnë erë fashizmi. Në varrimin e kriminelit Millosheviq, Handke i thoshte masës së njerëzve të etur për gjak, se ‘nuk e di të vërtetën’ dhe se prandaj është ‘këtu afër Millosheviqit, afër Serbisë’. Unë nuk besoj se dikush mund të jetë një ‘shkrimtar i mirë’, nëse është një ‘monstrum i pandjeshëm’ si njeri”, vijon më tej dramaturgu për Gazetën “Si”.

Dramaturgu Jeton Neziraj

Neziraj shton më tej se kjo shfaqje tenton të japë mesazhin se pyetjet që shtron arti nuk duhet të shtojnë më shumë vuajtje e dhimbje, pra, një kufi etik ekziston, ka ekzistuar gjithmonë në art, sidomos në teatër e letërsi.

“Ka shumë rëndësi të dihet kush është ai që po bën pyetje! Pyetjet e djallit ngelen pyetje djallëzore. Dhe ato, para të vërtetës, kanë qëllime djallëzore, synojnë trazimin e paqes, synojnë përmbysjen e së vërtetës, synojnë prodhimin e mjegullës dhe konfuzionit. Kur Handke i vë pikëpyetje gjenocidit mirë të dokumentuar dhe të konfirmuar të Srebrenicës, ai nuk synon të na ndriçojë të vërtetën, ose të na e zbulojë një anë të panjohur të asaj të vërtete, jo, ai e vë pikëpyetjen për ta mohuar, për ta devalvuar atë të vërtetë. Dhe për të përbuzur ato mijëra viktima aty, e për të fyer dhimbjen e atyre mijëra grave të Srebrenicës”, thotë dramaturgu.

Ndër të tjera, Neziraj thotë se shkrimtari Peter Handke me qëndrimet e tij i ka bërë më së shumti dëm vetë Serbisë.

Duke u shoqëruar dhe duke u thurur elozhe kriminelëve serbë të gjenocidit, kundrejt promovimit të dhjetëra intelektualëve e zërave kritik atje, ai në fakt, ka shuar mundësinë e shoqërisë serbe për një ballafaqim të sinqertë me të kaluarën kriminale të shtetit të tyre! Handke ka ngadalësuar procesin e distancimit të shoqërisë serbe nga krimet që janë kryer në emër të saj, dhe kështu ai, në të vërtetë, veçse i ka ndihmuar demonizimit të mëtutjeshëm të Serbisë. Prandaj duhet që shoqëria serbe, të themi simbolikisht, të dehandkeizohet. Dhe, një Serbi demokratike, një Serbi që ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale, është interes i krejt rajonit”.

Qendra Multimedia në bashkëpunim me Mittelfest & Teatro della Pergola (Itali), Teatrin e Dortmundit (Gjermani), Teatrin Kombëtar të Sarajevës & Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit- Scene MESS (Bosnjë dhe Hercegovinë) prezantoi “The Handke Project” vitin e shkuar. Vepra teatrore “The Handke Project” për herë të parë në skenë ka qenë në teatrin “Oda”, Prishtinë, për të vijuar dhe në të tjera skena teatrore më pas si në Ferizaj, Shkup, Verona-Itali, etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë