Lojëra me Dore

Gjokoviç debuton me fitore në Montekarlo, kalojnë edhe Rublev dhe Tsitsipas

Gazeta Si – Novak Gjokoviç vuajti më shumë nga sa ishte parashikuar, por gjithsesi debutoi me sukses në Masters 1000 të Montekarlos. Tenisti serb hasi vështirësi në setin e parë kundër Gakhov, duke e fituar vetëm me ‘tiebreak’. Ai dominoi në të dytin dhe e mbylli sfidën 7-6, 6-2.

Gjokoviç ka kaluar në fazën e 1/8-ve, ku do të ndeshet me fituesin e derbit italian Museti-Nardi. Serbi e nisi turneun e Montekarlos si kokë serie numër 1.

Është kualifikuar po me vuajtje edhe Andrej Rublev, të cilit iu desh edhe seti i tretë ndaj spanjollit Munar. Koka e serisë numër 5 humbi setin e parë 6-4 dhe vuri në rrezik kualifikimin, më pas ishte si një rul dhe përmbysi gjithçka me një dopio 6-2. Në 1/8-at sfidon fituesin e ndeshjes mes Khaçanov dhe Ivashka. Këta të fundit eliminuan Davidoviç Fokinan (6-2, 6-2) dhe Evans (2-6, 6-2, 6-3).

Është kualifikuar pa sforco Stefanos Tsitsipas. Greku dominoi ndaj Bonzit deri në 4-1, më pas kundërshtari u tërhoq për shkak dëmtimi. Hurkacz eliminoi Draper, por iu deshën 3 sete polakut për ta mbyllur 6-3, 6-7 dhe 7-5. Kanë kaluar turin edhe Zverev, Lehecka dhe Dimitrov.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë