Nga Gisela Troplini - “Shqipëria do të bëhet një qytet i madh! Do të ngelen disa vende historike dhe njerëzit do të shkojnë t’i vizitojnë. Jeta do të zhvillohet nga kryeqyteti në bregdet.”
Ky është parashikimi i Amarildo Sterkajt, agjent dhe themelues i “Extra Real Estate” në Tiranë dhe Dubai. Në një komunikim të gjatë me Gazetasi.al, Sterkaj shprehet optimist për të gjithë tregun e ndërtimeve në vend. Ai nuk parashikon rënie të ndërtimeve si pasojë e zhvillimeve në treg, “vetëm në rast se ndalohen lejet që jepen. Edhe nëse nuk ka më hapësirë Tirana, ka rrotull saj.”
Të ardhura vs. kosto – Shtresa e varfër rëndohet më shumë
Rritja e vrullshme e çmimeve, thotë Sterkaj, ka shkuar krahë më krahë me kërkesën, lehtësirat dhe pozicionin. Ai shpjegon se me blerjen e një banese, ti blen dhe lagjen e jo vetëm fasadën. “Oferta me çmime të përballueshme ekziston edhe në Tiranë, por larg nga zonat kryesore.”
Sterkaj përmend se arsyet e amplifikimit të çmimeve në tregun imobiliar, shumica nuk janë vendase. Agjenti tregon se janë paratë që vijnë nga jashtë, ato të pista, por edhe kursimet e emigrantëve.
“20 mln shqiptarë nëpër botë punojnë për një Tiranë. Ata nuk rikthehen më të jetojnë në vendlindje, por synojnë kryeqytetin. Ata janë investitorë. Ky është presion mbi çmimet. Më pas janë paratë e nënkontraktorëve që futen në lojë. Ndërtesat bëhen me paratë e tyre, jo investitorit dhe më pas ata i duan mbrapsht.”
Ai analizon se hyrjet e mëdha nga rrethet drejt Tiranës do të jenë gjithmonë në barazpeshë me ndërtimet, duke i shtuar faktin se gjysma e tyre largohen shumë shpejt jashtë Shqipërisë.
Në rrethana të tilla, agjenti Sterkaj shpjegon se janë të varfrit ata që rëndohen deri në pamundësinë e posedimit të një prone në të ardhmen.
"Për t’u kredituar nga banka, duhet të punojnë patjetër, 2 pjesëtarë të familjes dhe jo me paga minimale. Por faktorët janë edhe socialë. Një shtresë e pashkolluar dhe e paformuar mirë do të synojë një punë të keqpaguar dhe këtu mundësia për të pasur një shtëpi, një pronë duket e largët shumë. pra përveç sistemit të pagave, duhet edhe një investim tek rinia dhe kualifikimi i tyre. Problemi është tek sistemi i pagave dhe aftësia paguese. Një shqiptar me pagë mesatare nuk mbulon dot as qiranë as këstin mujor të kredisë për shtëpi”, -thotë ai, i cili gjithsesi pranon se jo i gjithë shtrenjtimi është natyror.
“Sigurisht ka edhe spekulim edhe abuzime me çmimet. Unë mendoj se duhet një rregullator nga shteti, që do të kontrollonte dhe fiksonte çmimet. Por të keqe nga sektori i ndërtimit nuk ka!”.
A e di pse nuk vjen kriza në Shqipëri?
Pyetur nga Gazetasi.al nëse mund të preket vendi jonë nga kriza imobiliare që po ndodh në Europë, Sterkaj përgjigjet po me pyetje: A e di pse nuk vjen kriza në Shqipëri?!
“Krizën në vendet europiane e sjellin bankat; rritet norma e interesit, vështirësohen pagesat dhe tregu atrofizohet. Në Shqipëri nuk ndodh. Shumica e pronave këtu blihen nga paraja e akumuluar, nga paraja e ardhur nga jashtë, cash. Ata që blenë nuk kanë punë me bankat. Këtu tregu është i njëjtë me atë në Dubain. Investitori shkon të blejë se i ka paratë gati, nuk i merr në bankë. “
Ekspertët e fushës herëpashere kanë përmendur si problem pikërisht mungesën e shifrave të pronave që blihen brenda dhe jashtë bankës.
Të tjerë agjentë imobiliarë, të punësuar pranë kompanive që nuk dëshirojnë të citohen tregojnë për Gazetasi.al se viti 2023 nuk ka qenë shumë pozitiv dhe problemi është sepse nuk ka ofertë.
Banesat e regjistruara në stok për shitje apo dhënie me qira janë të kufizuara dhe shumica larg qendrës së kryeqytetit. Sipas agjentëve, kjo ka segmentuar tregun dhe konsumatorët, duke i orientuar ata me më pak fuqi blerëse larg qendrës.
Duke cituar dhe njëherë Sterkajn; ti mund të blesh shtëpi me 1200 euro/m2, por mund t'i blesh në Ali Dem ose Astir, madje edhe aty, jo edhe për shumë kohë...
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.