Shumë njerëz, në momentin e parë që kanë simptoma, kërkojnë në Google për informacion dhe jo pak herë shqetësohen se mund të kenë kancer.
Ndërsa njerëzit kërkojnë në internet këshilla shëndetësore, çfarë do të sjellë e ardhmja me chatbot-et e inteligjencës artificiale si ChatGPT, të aftë për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre në vetëm pak sekonda dhe sa të besueshme do të jenë këto përgjigje?
Studiuesit në Universitetin e Maryland vendosën të vlerësojnë "përshtatshmërinë" e përgjigjeve të ChatGPT ndaj 25 pyetjeve të zakonshme në lidhje me parandalimin dhe ekzaminimin e kancerit të gjirit.
Ata zbuluan se ChatGPT mund të ishte i dobishëm në përhapjen e ndërgjegjësimit për simptomat e kancerit të gjirit dhe rekomandimet e tij janë të mira, edhe pse në disa raste informacioni ishte jo i saktë plotësisht.
“Ne zbuluam se ChatGPT iu përgjigj saktë pyetjeve rreth 88 për qind të rasteve, gjë që është shumë e mahnitshme”, tha autori i studimit Paul Yi duke shtuar se ChatGPT gjithashtu bën një përmbledhje të informacionit në një formë që kushdo do e kuptonte.
Për studimin e tyre, i cili u botua të martën në revistën Radiology, studiuesit krijuan një grup prej 25 pyetjesh në lidhje me këshillat për ekzaminimin e kancerit të gjirit.
Në shkurt 2023, ata dërguan çdo pyetje në ChatGPT tre herë për të parë se cilat përgjigje u gjeneruan. Chatbot është i njohur për ndryshimin e përgjigjeve të tij çdo herë.
Tre mjekë më pas vlerësuan këto përgjigje dhe zbuluan se ato ishin të përshtatshme për 22 nga 25 pyetjet. Një përgjigje nga 3 të mbeturat bazohej në informacione të vjetra dhe dy të tjera u konsideruan jo të besueshme, sepse ato ndryshonin ndjeshëm sa herë që shtrohej e njëjta pyetje.
“Të gjitha, këto gjetje sugjerojnë se ChatGPT ka një potencial të madh për dhënien e informacionit për pacientët rreth parandalimit dhe ekzaminimit të kancerit të gjirit”, shkruajnë autorët.
Ata zbuluan se ChatGPT iu përgjigj saktë pyetjeve në lidhje me simptomat e kancerit të gjirit, kush është në rrezik, dhe pyetjeve mbi koston, moshën dhe rekomandimet në lidhje me mamografinë.
Gjithsesi studiuesit thonë se pacientët duhet të jenë të vetëdijshëm se këto janë teknologji të reja, të pa aprovuara dhe sido të jetë, duhet të drejtohen tek një mjek.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.