Gazeta Si - Pa syze, me flokë të lëshuara dhe me një veshje më formale ndryshe nga xhaketa verdheblu që mbante më parë në kafazin e gjykatës, Svetllana Timofeeva i ka qëndruar vendimit të saj për të mos u ekstraduar në Rusi.
Gjykata e Elbasanit do të japë më 14 prill në orën 12:15 vendimin për spiunen e dyshuar ruse, e cila u arrestua në Uzinën Ushtarake të Gramshit gushtin e vitit të shkuar.
Këtë të martë u mbyll seanca e fundit, ndërsa gjykata do japë vendimin, pasi mbrojtja kërkon që të mos ekstradohet drejt Rusisë.
Vajza 33-vjeçare ka folur për herë të parë, duke këmbëngulur që të refuzohet kërkesa e Rusisë dhe ajo të qëndrojë në Shqipëri.
“Kërkesa e vendit tim duhet refuzuar. Kam bërë kërkesë si azil-kërkuese në Shqipëri dhe kjo kërkesë e imja po shqyrtohet. Dua të qëndroj në Shqipëri dhe të mos më dërgoni në Rusi“, ka thënë ajo para Gjykatës.
Rusja, e cila u arrestua në Shqipëri në gusht të vitit 2022 teksa kaloi një perimetrin e sigurisë së uzinës së armëve në Gramsh, përballet në Shqipëri e akuzuar për spiunazh.
Për shkak të refuzimit të vetë Timofeevas dhe për shkaqe të tjera, prokuroria i ka kërkuar gjykatës të mos lejojë ekstradimin e shtetases ruse.
Prokuroria arsyeton se shkaqet e mësipërme e bëjnë të besojë në mosrespektimin e të drejtave të saj në Rusi.
Për këtë arsye prokuroria i kërkon gjykatës që Svetlana Timofeeva të mos ekstradohet.
Teksa përfundoi afati i arrestit me burg, Gjykata e Elbasanit vendosi zgjatjen e afateve të paraburgimit edhe pse ky vendim u cilësua i jashtëligjshëm dhe në shkelje të të drejtave nga ana e mbrojtjes.
Në të njëjtin proces, me akuzën e marrjes së informacionit që përbën sekret shtetëror, dhe goditjes për shkak të detyrës, gjykohen edhe dy bashkëpunëtorët e Zvetlana Timofevës, një shtetas rus dhe një ukrainas, edhe këta të dyshuar si spiunë.
Së bashku me 33-vjeçaren, ata tentuan të hynin në ambientet e uzinës së armëve në Gramsh dhe hodhën sprej neuro-paralizues ndaj dy ushtarëve që ruanin objektin ushtarak.
Ereja në Rusi është e akuzuar për “Marrje e paligjshme e informacionit që përbën sekret shtetëror”, por rusja kërkon azil politik, duke thënë se ka dalë hapur kundër presidentit Vladimir Putin dhe për këtë arsye mund t’i rrezikohet jeta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.