Njerez

Pse agjërojnë të rinjtë shqiptarë? Për besimin fetar, për ‘detyrim’ apo snobizëm…

Nga Gazeta Si - Në Shqipëri ka një numër në rritje nga viti në vit të të rinjve që agjërojnë gjatë Muajit të Ramazanit. Sigurisht pjesa dërrmuese janë besimtarë, jo detyrimisht praktikantë të fesë islame. Por ka edhe të tjerë që e mbajnë agjërimin të “ndikuar” nga familja apo rrethi shoqëror. Ka edhe nga ata që zgjedhin të agjërojnë për snobizëm, për t’u ndjerë pjesë e një grupi edhe pse nuk ndjekin ritet fetare gjatë këtij muaji. Ndërsa të tjerë, duket se agjërojnë pasi e kanë kuptuar se jemi në një kohë kur të gjithë po përpiqen të gjejnë diçka më kuptimplotë për të ruajtur vetëdijen...

“Kam katër vjet që mbaj agjërim. Jam nga Dibra dhe që në moshën 16-vjeç iu bashkova familjes, prindërve dhe vëllait duke mbajtur të gjithë Ramazan. Ndjehem mirë dhe ky muaj më bën të reflektoj shumë”.

Paloma Drizi, 20-vjeçare, studente e degës Gjuhë-Letërsi në Tiranë, pas mësimit punon në një prej dyqaneve në “Myslym Shyri”, Tiranë.

Për Gazetasi.al, studentja tregon se edhe pse në shkollë dhe punë, nuk e ka ndaluar veten të agjërojë.

“Në konvikt jetoj me një shoqe e cila mban dhe ajo Ramazan. Para nisjes së muajit të madhërishëm, prindërit më furnizojnë me ushqime për muajin. Fakti që dhe shoqja e dhomës mban agjërim, më lehtëson sepse kemi të njëjtat rite, ngrihemi në mëngjes sipas kalendarit të agjërimit, 04:45 çdo ditë, përgatisim Syfyrin dhe hamë të dyja. Po ashtu dhe Iftarin, shoqja më pret sapo të mbyllë punën në ora 21.00 dhe ulemi të dyja në tryezë”, thotë Paola, siç ka dëshirë ta thërrasin.

Mbi tavolinën e punës në dyqan Paola ka vendosur dy krepa të mbështjellë me qese alumini. Sapo ora shënon 19:00 kur hapet Iftari, Paola (meqenëse është në punë dhe nuk i lejohet të hajë kur u shërben klientëve) pi ujë për ta nisur ritualin. Vajza e re thotë se është e informuar për të gjithë ritualin e Ramazanit dhe  e bën me shumë dëshirë.

Por a beson realisht? A është një praktikante e rregullt? Përgjigjia e studentes është “Jo”.

“Unë kur ngrihem në mëngjes për Syfyrin, laj duart e sytë sipas ritit por nuk falem. Mami e babi e bënin, unë jo. Nuk shkoj në xhami por besoj në fenë islame. Përpiqem të jem njeri i mirë, të mos bëj keq, të dua njerëzit”, tregon studentja nga Dibra.

Agjërimi, sipas saj, i tregon më mirë se si ndjehen njerëzit që kanë mungesë të ushqimit. Dhe ajo përpiqet që ti ndihmojë ata me aq sa mundet.

Edhe Rozi, një parukiere në një nga sallonet estetike në Tiranë, këtë vit ka vendosur të agjërojë bashkë me të shoqin. Rozi punon 8 orë në sallon, por thotë se përveç ditëve të para, nuk ka asnjë problem me ushqimin.

“Trupi ndjehet i lehtë, këtë kam vënë re. Është hera e parë që agjëroj pasi vitet e shkuara e mbaja vetëm disa ditë gjatë muajit. Nuk shkoj në xhami, as nuk e praktikoj, kam lexuar kuranin dhe kam dëgjuar në familje për Ramazanin”, thotë ajo.

Kurse Vera, një pronare copash në tregun e Medresesë, është një myslimane e devotshme. Ajo është  e mbuluar, shkon në xhami, madje dhe në pelegrinazh në Mekë. Kur e pyet për tendencën e të rejave e të rinjve që duan të agjërojnë, buzëqesh dhe thotë vetëm: Allahu ua pranoftë!

I pyetur nga Gazetasi.al, Myftiu i Tiranës Lauren Luli thotë se ka një shtim të numrit të personave që agjërojnë dhe kanë përqafuar islamin. Për të, kjo është një gjë e mirë dhe tregues i rritjes së numrit të besimtarëve.

Myftiu i Tiranës, Lauren Luli. Gazeta Si, prill, 2023.

“Për mua s’do të thotë gjë që nuk praktikojnë besimin. Mjafton që e njohin si rit, e dinë ç’duhet të bëjnë gjatë muajit të Ramazanit dhe është gjë e mirë që duan ti përkushtohen zotit. Nuk mendoj se ka lidhje me snobizmin apo ndonjë arsye tjetër”, thotë Myftiu i Tiranës Lauren Luli.

Por sociologu Gëzim Tushi nuk mendon kështu. Sipas tij, arsyeja pse njerëz që nuk praktikojnë fenë islame, agjërojnë, ka lidhje më së shumti me vlerat shëndetësore të agjërimit.

Por nuk përjashtohet dhe snobizmi.

“Kam lexuar se një nga sekretet e jetëgjatësisë është mbajtja e agjërimit. Vlerat shëndetësore të këtij riti janë të mëdha. Besoj se njerëzit që e mbajnë, e kanë parë se sa mirë u ka bërë dhe e vazhdojnë”, thotë Tushi duke shtuar se nuk e lidh kurrsesi me besimin islam madje “i duket si një garë mes feve se kush përfiton më shumë ndjekës”.

Mes njerëzve që agjërojnë, thotë Tushi, ka dhe prej atyre që e bëjnë për snobizëm, për t’u ndjerë pjesë e një grupi edhe pse nuk ndjekin ritet e tyre.

Gent Tufa, aktivist i të rinjve thotë për Gazetasi.al se jemi në një kohë kur të gjithë po përpiqen të gjejnë diçka më kuptimplotë për të ruajtur vetëdijen.

“Përtej arsyes kryesore që është besimi, ka të bëjë edhe me njëfarë përkatësie kulturore, tradite dhe mënyre identifikimi. Dhe tek kultura pastaj futet edhe snobizmi, trendi e me radhë, por në vetvete agjërimi është pikërisht rruga që të nxjerr prej snobizmit, që të mundëson parakushtet për të medituar dhe njohur vetveten, dhe për të shfaqur një version më të mirë, më të fortë, me më shumë vullnet të njeriut”, thotë Tufa i cili shton se sigurisht në vendin tonë është edhe si trend, duke qenë se islami po futet gjithmonë e më tepër si narrativë në rrjetet sociale.

Por Elona Mustafaraj, psikologe këshillimi për adoleshentët dhe të rinjtë, e sheh shtimin e të rinjve që agjërojnë si një praktikë që nxitet nga grupi shoqëror apo mjedisi social si një praktikë pozitive, dhe jo i nxitur nga rrjetet sociale.

“Gjithë analiza duhet të bazohet te mosha e të rinjve, qasja e tyre ndaj praktikave të besimit dhe historia apo e kaluara e tyre lidhur me agjërimin dhe praktikat e tjera, koha lidhur me praktikimin e besimit. Nëse këto elementë janë sporadikë dhe jo të qëndrueshëm atëherë unë e shoh si diçka vetëm pjesërisht të lidhur me besimin”, thotë ajo.

Diçka të tillë na e pohon edhe A.L., një 25-vjeçare që agjëron prej 6 vitesh tashmë, thotë për Gazetasi.al se agjërimi është i vetmi rit që ndjek dhe nuk ka tentuar kurrë të jetë “më shumë besimtare”.

“Unë agjëroj sepse tani më është kthyer në diçka që duhet ta bëj bashkë me familjen time çdo vit por kjo nuk më ka penguar që para dy ditësh të festoj ditëlindjen në një prej clube-ve të Tiranës, edhe pse thonë se nuk duhet ta bëj”, shprehet ajo.

Psikologe Ariana Muça thotë se në ditët e sotme të gjithë të rinjtë kanë nevojë për një pikë referimi për të gjetur besimin në veten e tyre dhe influenca e grupit social ku bëjnë pjesë ndikon shumë fort mbi mënyrën e të menduarit dhe të sjellurit.

"Besimin sot të rinjtë e kanë përvetësuar si formë e zhvillimit të identitetit të tyre. Prandaj së fundmi po shohim shumë të rinj që bëhen pjesë e besimeve fetare".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë