Lojëra me Dore

‘Ariu’ Medvedev shumë i fortë për Siner, trofeu i Majemit shkon për rusin

Gazeta Si – Danil Medvedev feston edhe në Majemi, pas fitores 2-0 në finale ndaj Janik Siner. Tenisti rus mbetet ‘macja e zezë’ për italianin. Pas fitores në Roterdam, Medvedev bëri të njëjtën gjë edhe në Masters 1000 të Majemit.

Pas një seti të parë mjaft të luftuar, të fituar në fund 7-5 nga rusi, Siner u dorëzua në të dytin, duke shfaqur një rënie të madhe fizike. Italiani e kishte shumë të vështirë ta përballonte kundërshtarin dhe Medvedev e mbylli setin 6-3, duke fituar kështu trofeun e 19-të në karrierë.

Tenisti rus i ka fituar të gjashta ndeshjet që ka luajtur ndaj Siner. Ky i fundit mund të ngushëllohet me vendin e 9-të në renditjen ATP. Ëndrra e tij edhe një herë u shua në momentin final.

Danil Medvedev vazhdon të shijojë këtë 2023 të mrekullueshëm, teksa ka fituar edhe trofeun e 4-t sezonal. Pas turneut të Majemit në krye të renditjes botërore do të kthehet Novak Gjokoviç, duke rimarrë fronin nga Karlos Alkaraz, i eliminuar nga Siner në gjysmëfinale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë