Ka ndodhur

Plagosja e 60-vjeçares në Lushnjë, i vëllai: Na bënë pritë pas gjyqit, shteti nuk mori masa

Gazeta Si – Konflikti i pronësisë mes kushërinjve Hasalla në Lushnjë, që i kushtoi jetën një 30-vjeçarit Romeo Hasalla 2 vjet më parë, u hap sërish këtë të enjte me të shtëna arme.

Kësaj here plumbat u drejtuan ndaj 60-vjeçares Bajame Seneja, motrës së Kastriot Hasallës, i cili bashkë me të vëllain në 2021 qëlloi me armë zjarri ndaj Shaip Hasallës dhe tre djemve të tij.

Si pasojë e ngjarjes para dy vjetësh, njëri nga djemtë humbi jetën, ndërsa Shaipi me dy djemtë e tjerë u plagosën rëndë.

Ndërkohë, Bajamja është plagosur në këmbë dhe po merr mjekim në spital.

Vëllai i saj dhe Kastriotit, Afrim Hasalla, tregon dinamikën e ngjarjes për median dhe drejton gishtin nga kushëriri.

“Policia nuk ka marrë asnjë masë. Këtu është Shaip Hasalla me djemtë. Para dy vjetësh na kanë qëlluar me armë, sot na qëlluan motrën. Shteti nuk ka marrë masa. Ishim në gjyq për tokën. Mbaruam gjyqin, u nisëm për shtëpi dhe na bënë pritë. Isha bashkë me avokatin nga Tirana. Gjyqi ishte për çështjen përpara”.

Sipas tij, avokatët qëlluan makinën e nipit, ku ishte dhe motra. “Unë isha me avokatin në makinë para, motra me nipin pas. Qëlluan makinën e nipit”.

Sherri mes dy familjeve ndodh për shkak të një sipërfaqe toke prej dy hektarësh. Afrim Hasalla tha se Kastrioti mbrojti vëllanë dhe fëmijën e tij në ngjarjen që ndodhi ku humbi jetën Romeo Hasalla.

Për vdekjen e këtij të fundit bën fajtor babain e viktimës, Shaip Hasallën, për të cilin thotë se kur ka ndodhur ngjarja ka qenë i armatosur me armë.

“Sherri është për tokën, 2 hektarë tokë. Kam bërë një stallë atje dhe zotëria do ta marrë me forcë. Kastrioti është dënuar, por Kastrioti s’e vrau, por e vrau Shaipi djalin. Kastrioti mbrojti vëllain dhe fëmijën e tij. Shikoni personin që na ka pritur me armë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë