Lojëra me Dore

Sabalenka në sulm: Nuk kam parë kurrë kaq urrejtje, s’kam bërë asgjë të keqe!

Gazeta Si – Tenistja bjelloruse, Arina Sabalenka, ka treguar në një konferencë shtypi momentet e vështira që ka kaluar vitin e fundit për shkak të kombësisë.

“Ka qenë vërtet e vështirë për mua, sepse nuk jam përballur kurrë me një urrejtje kaq të madhe në ambientet e brendshme të tenisit. Ka shumë që më kanë urryer në Instagram kur kam humbur ndeshjet, por në dhomat e zhveshjes nuk e kisha parë asnjëherë këtë gjë”, – ka thënë Sabalenka.

Bjellorusja e ka parë urrejtjen në komponentë të stafeve të kolegeve të saj: “Po, kam pasur edhe situata të tilla, jo tamam zënka, por biseda të çuditshme. Jo me vajzat, por me pjesëtarë të skuadrave të tyre. Ka qenë shumë e vështirë, por tani po përmirësohet situata”.

Arina Sabalenka pozon me trofeun e Australian Open. Gazeta Si, 22 mars 2023

Tenistja 24-vjeçare, si bashkombasit e saj dhe kolegët rusë, pas pushtimit të Ukrainës, luan me flamur neutral dhe u përjashtua nga Uimbëlldoni. Para turneut të Majemit ajo ka rrëfyer sa i vështirë ka qenë ai moment nga pikëpamja psikologjike.

“Kam kuptuar që nuk ishte faji im, nuk kam bërë asgjë të keqe. Jam e sigurt se edhe sportistet e tjera bjelloruese dhe ruse nuk u kanë bërë asgjë ukrainasve. Kam kuptuar gjithashtu se janë emocione që duhet t’i anashkaloj dhe të përqendrohem te vetja. Nuk mund të kontrolloj emocionet e të tjerëve”, – ka shtuar 24-vjeçarja.

Sabalenka ka përjetuar një situatë të veçantë në ‘Indian Wells’, në një nga turret e para, kur fitoi pa luajtur për shkak të tërheqjes së kundërshtares Lesia Tsurenko para ndeshjes. Tenistja ukrainase ka thënë se ishte ndjerë në panik pas një bisede me administratorin e deleguar të ‘Women’s Tennis Association’ (WTA) Steve Simon, për përgjigjen e sportit ndaj pushtimit rus.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë