Drejtësia

Masakra e Lushnjës në 2017-ën, Apeli konfirmon dënimin me burg përjetë për dy autorët

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të lërë në burg përjetë Orges Bilbilin dhe Anterio Kaloshin të akuzuar për vrasje të dyfishtë në vitin 2017 për ngjarjen që cilësohet si "Masakra e Lushnjës".

Me këtë vendim lihet në fuqi dënimi i dhënë më herët nga Shkalla e Parë pas një seance e cila zgjati rreth 6 orë, ndërkohë mbrojtja kërkoi pafajësi.

Veç akuzës së vrasjes në rrethana cilësuese të një ose më shumë personave, Bilbili dhe Kaloshi akuzohen për “Kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit kriminal”, 'Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit' si dhe 'Prishja e qetësisë publike'.

Në kërkim për këtë ngjarje, vijon të jetë Laert Haxhiu, i konsideruar si organizator i vrasjes. Haxhiu po gjykohet në një proces paralel në mungesë. Në atentatin e vitit 2017, mbetën të vrarë Zamir Latifi e Jurgen Hoxha, si dhe u plagos Marjus Xhepexhiu.

Dy viktimat njiheshin për lidhjen e tyre me Xhulio Shkurtin, nipin e Aldo Bares dhe sipas SPAK, ky i fundit ka qenë edhe objektiv i atentatit, ndërsa zanafilla e hakmarrjes lidhet me konfliktet  e vjetra të Bandës së Lushnjës.

Ngjarja që ndodhi në 11 tetor 2017 në lagjen “Loni Dhamo”, pasonte një tjetër tentative për vrasjen e Xhulio Shkurtit.

Në korrik 2020, Prokuroria e Lushnjës, me vendim gjykate shpalli në kërkim këta persona si autorë, ndërsa hetimet i mori Prokuroria e Posaçme për shkak të organizimit si grup kriminal.

Në fakt, Anterio Kaloshi u arrestua në 13 gusht 2020, pasi bashkë me disa persona të tjerë kishin qëlluar me armë zjarri në drejtim të hotel 'Volorekës' në Pogradec, ndërsa ishte shpallur në kërkim për masakrën e Lushnjës.

Ndërkohë, Orgest Bilbili u kap në 10 prill 2020 në zonën e Xhamllikut në Tiranë, i cili u plagos nga polici, pasi tentoi të largohej gjatë kohës së pandemisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë