Lojëra me Dore

Alkaraz dominon Medvedev dhe rikthehet numri 1. Triumfon edhe Ribakina

Gazeta Si – Karlos Alkaraz dhe Elena Ribakina janë kampionët e rinj të Indian Wells. Fenomeni spanjoll, pas suksesit ndaj Danil Medvedev në finale, i rrëmben fronin Novak Gjokoviçit në renditjen botërore.

Karlos Alkaraz, pa mbushur 20 vjeç, fiton turneun e 3-të Masters 1000 në karrierë dhe rikthehet numri 1 në botë. Ai mundi rusin Danil Medvedev në finalen e Indian Wells. Iberiku ishte i papërmbajtshëm dhe e mbylli ndeshjen 6-3 dhe 6-2, për një orë e 10 minuta.

Ndalet ecuria e mirë prej 19 fitoresh radhazi për Medvedev. Rusi nuk mundi të bënte ‘poker’, pas sukseseve në Dubai, Doha dhe Roterdam. E kishte shumë të vështirë ndaj një Alkarazi në formë shumë të mirë, me vetëm një humbje në 2023-shin, atë ndaj Norri në finalen e Rio de Zhaneiros.

Vërtet një fenomen adoleshenti nga Mursia, i cili i ka lënë të gjithë gojëhapur me nivelin që tregoi në turneun amerikan. Spanjolli ka një varietet goditjesh të pabesueshme. Paradoksalisht për këtë arsye ndonjëherë rrezikon shumë dhe gabon, por kur ai ‘ndizet’, askush nuk mund ta përballojë.

Finalja e femrave është fituar nga Elena Ribakina, e cila është ‘hakmarrë’ pas 7 javësh në finale ndaj Arina Sabalenkës. Ribakina ia doli të fitonte një finale të fortë dhe spektakolare me rezultatin 7-5 dhe 6-4. Ndeshja përfundoi pas 2 orë e 3 minutash.

Tenistja kazake, tashmë numri 7 në botë, ka triumfuar për herë të parë në karrierë ndaj bjelloruses, që mban vendin e 2-të në renditjen botërore. Në sfidën e fundit mes tyre në janar, Sabalenka fitoi trofeun e Australian Open.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë