Gazeta Si – Pas përjashtimit të vitit të kaluar dhe mosakordimit të pikëve, këtë herë pritet që turneu i madh anglez të jetë i hapur për të gjithë.
Mediet angleze nuk kanë dyshime: tenistët dhe tenistet nga Rusia dhe Bjellorusia mund të marrin pjesë në turneun e Uimbëlldonit. Lajmi është publikuar fillimisht nga ‘Daily Mail’ dhe më pas është konfirmuar edhe nga të përditshmet e tjera britanike.
Nuk ka ende një njoftim zyrtar, por në Angli janë të sigurt. Vendimi kontrovers i vitit të kaluar për të lënë jashtë rusët dhe bjellorusët nuk la një shije të mirë. Këtë vit të gjithë mund të luajnë në Uimbëlldon, pritet vetëm zyrtarizimi.
Tenistët dhe tenistet rusë e bjellorusë do të luajnë pa flamur dhe do të përjashtohen nga turneu në rast se shfaqin hapur mbështetje ndaj Vladimir Putinit dhe pushtimit të Ukrainës. Nuk ka asnjë detyrim për t’u deklaruar kundër Rusisë prej tyre, por kërkohet neutralitet.
Ndalohen në terrenin e ‘All England Club’ flamujt apo simbolet pro Rusisë për të evituar atë që ndodhi në Australian Open me babanë e Gjokoviçit, Srdjan, i cili u shfaq në shoqërinë e tifozëve me “Z”-në në fanellë. Gjithsesi, nuk do të përsëritet historia e vitit të kaluar për të ndaluar sportistët të marrin pjesë në turne.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.