Gazeta Si – Apartamente, sipërfaqe toke, si edhe makina te ndryshme, janë pasuritë e sekuestruara ndaj një 50-vjeçari, i akuzuar nga drejtësia belge për trafik droge e pastrim parash.
Policia e Shtetit, njoftoi këtë të premte se janë 18 pasuritë e sekuestruara ndaj Eridan Guerrerros dhe familjarëve të tij, në Vlorë, Durrës e Tiranë, pasi dyshohet se janë përfituar për shkak të veprimtarive kriminale.
Guerrero, 50 vjeç, lindur në Vlorë, aktualisht ndodhet në dhomat e paraburgimit në Bruksel, Belgjikë, i akuzuar për veprat penale “Trafikimi ndërkombëtar i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të vepës penale apo veprimtarisë kriminale”, të kryera në formën e organizatës kriminale.
“Në kuadër të operacionit “Filtri”, u sekuestruan 18 pasuri të paluajtshme (apartamente, sipërfaqe toke, njësi shërbimi, garazh dhe depo), të ndodhura kryesisht në lagjen “Uji i ftohtë”, Vlorë dhe në Durrës, si dhe 4 automjete të tipeve të ndryshme, të cilat dyshohet se janë përfituar nga shtetasi E. G. dhe nga familjarët e tij, për shkak të veprimtarive kriminale të 50-vjeçarit”, – thuhet në njoftimin e policisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




