Njerez

Nënat surrogate po lulëzojnë, ndërsa kërkesa për foshnja rritet

Surrogacia i referohet një marrëveshjeje në të cilën një gruaje i paguhet tarifë për të lindur fëmijë për një person ose çift tjetër.

Ligjet rreth surrogacisë ndryshojnë shumë nga vendi në vend dhe nga shteti në shtet. Në SHBA, për shembull, praktika është e lejuar në disa shtete, por e ndaluar në të tjera, ndërsa në Kanada dhe Britani, lejohet vetëm ajo që quhet surrogaci altruiste, ku personi që mbart fëmijën nuk paguhet.

Në Gjeorgji, ndërkohë, si në Ukrainë dhe Rusi, të dyja format janë të ligjshme.

Sipas konsulencës së kërkimit të tregut Global Market Insights, kjo industri kishte vlerë rreth 14 miliardë dollarë në vitin 2022, megjithëse shifrat e sakta janë të vështira për t’u verifikuar duke pasur parasysh se kjo praktikë vazhdon edhe në vendet që nuk është e ligjshme.

Deri në vitin 2032, kjo shifër parashikohet të rritet në 129 miliardë dollarë, pasi problemet e infertilitetit rriten dhe një numër në rritje i çifteve të të njëjtit seks dhe beqarëve kërkojnë mënyra për të pasur fëmijë.

Kjo kërkesë drejtohet kryesisht nga çiftet në vendet e pasura perëndimore. Shumë prej tyre po kërkojnë shërbime në shtete të tjera për të shmangur listat e pritjes në vendet e tyre ose dhe për shkak se ligjet vendase ndalojnë surrogacinë.

Edhe pandemia gjithashtu ka ndikuar.

“Pandemia e reduktoi disi surrogacinë ndërkombëtare për dy vite por më pas u pa një rritje e madhe e kërkesave”, tha eksperti Sam Everingham, i cili është drejtori global i Sydney, grupi mbështetës i surrogacisë në Australi.

Lufta në Ukrainë e shtyn surrogacinë në tregje të reja

Deri vitin e kaluar, Ukraina ishte tregu i dytë më i madh në botë i surrogacisë pas SHBA-së por gjithçka ndryshoi me pushtimin e Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt 2022.

Shpejt dolën raporte për nënat surrogate që zhvendoseshin në strehimore dhe personat që kishin paguar që përpiqeshin të hynin në Ukrainë për t’u bashkuar me surrogatet e tyre.

“Ne kishim shumë prindër që ishin në faza të ndryshme të procesit me ne” thotë Olga Pysana, partnere në agjencinë ukrainase të surrogacisë “World Center of Baby”, e cila në atë kohë kishte 37 surrogate dhe 130 prindër në pritje.

“Na duhej të gjenim shpejt një alternativë”.

Konflikti e shtyu industrinë në vende të tilla si Gjeorgjia e afërt, ku ligjet pasqyrojnë nga afër ato të Ukrainës. World Center of Baby planifikon të hapë zyrën e saj në Gjeorgji këtë muaj. Ndërkohë, Meksika dhe pjesë të Amerikës Latine kanë parë gjithashtu një rritje.

Në Gjeorgji, si në Ukrainë, programet e surrogacisë kushtojnë rreth 40.000-50.000 dollarë, ndërsa në Meksikë ato janë rreth 60.000-70.000 dollarë. Kjo krahasohet me një mesatare prej 120,000 dollarë dhe më të lartë në SHBA.

“Këtu në Meksikë, ne kemi përsëri një rritje, sepse Ukraina është e mbyllur”, thotë Ernesto Noriega, shefi ekzekutiv dhe themeluesi i “Egg Donors Miracles”, një agjenci fertiliteti, duke vënë në dukje një rritje 20% -30% me vitin e kaluar.

Një burim të ardhurash për gratë

Tani agjencitë po u bëjnë thirrje grave të bëhen pjesë e kësaj industrie duke e reklamuar në rrjetet sociale si Facebook ku premtohen të ardhura të konsiderueshme.

“Faktori kryesor shtytës është motivimi financiar pas tij”, thotë Pysana.

Megjithatë, tërheqja e grave në industri ka ngritur shqetësime për pabarazinë shpeshherë të madhe midis tarifave të agjencisë dhe fitimeve përfundimtare të nënave surrogate. Në shumë raste, një surrogate mund të fitojë më pak se një të katërtën e dhjetëra mijëra dollarëve që paguajnë prindërit e fëmijës.

“Unë kam bërë kërkime dhe kam dalë në përfundimin se mjekët marrin 50,000 dollarë, 60,000 dollarë nga prindërit dhe i japin 12,000 deri në 20,000 dollarë nënës surrogate”, thotë Pysana.

“Është e padrejtë ajo që ata bëjnë”.

Noriega, nga ana tjetër, thotë se tarifat e agjencive janë të justifikuara për shkak të shpenzimeve të larta mjekësore të përfshira në proces, si dhe kostos së strehimit dhe ushqimit të surrogateve në javët e fundit të shtatzënisë. Megjithatë, Noriega pranon se ka edhe korrupsion.

Shqetësimet dhe rreziqet e shfrytëzimit

Ekzistojnë gjithashtu çështje thelbësore etike që rrethojnë surrogacinë, me kritikët që argumentojnë se industria përfiton nga gratë e cenueshme.

Një parakusht për shumë agjenci, për shembull, është që nënat surrogate të jenë ose të veja ose beqare dhe që kanë të paktën një fëmijë. Agjencitë thonë se kjo është për të demonstruar se një grua është e përgatitur fizikisht dhe psikologjikisht për shtatzëni dhe për të shmangur çdo mosmarrëveshje me partnerët e tyre.

“Kjo nuk është një industri e mirë për gratë”, thotë Teresa Ulloa Ziaurriz, drejtoreshë rajonale në Koalicionin Kundër Trafikimit të Grave dhe Vajzave në Amerikën Latine dhe Karaibe.

“Për mua, ato janë viktima”.

Ulloa Ziaurriz thotë se në përvojën e saj duke punuar si avokate e grave në të gjithë Amerikën Latine, kryesisht në Argjentinë, Kolumbi, Ekuador dhe Meksikë, agjencitë synojnë në mënyrë specifike ato që përballen me vështirësi financiare.

“Pas pandemisë, shumë gra humbën punën e tyre. Agjencitë kërkuan për gra beqare me fëmijë që kishin nevojë për mbështetje ekonomike”, thotë ajo për agjencitë, duke e përshkruar procesin si një formë të trafikimit të qenieve njerëzore.

Surrogacia është gjithashtu një proces shumë kërkues si fizikisht dhe psikologjikisht dhe ndërsa shumica e agjencive kërkojnë që nënat surrogate t’i nënshtrohen kontrolleve të shëndetit mendor dhe fizik përpara se të hyjnë në një marrëveshje, mungesa e rregullores lë hapësirë për keqtrajtim.

“Nuk ka standarde ndërkombëtare dhe programe të reja po dalin në shumë vende por gjithmonë ka shkelje rregullash”, thotë Everingham.

Disa vende tani po përpiqen t’i korrigjojnë këto mangësi. Në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, autoritetet rregullatore po punojnë për një rishikim për të përmirësuar masat mbrojtëse vendase të surrogacisë.

“Ne mund të bëjmë shumë pak për të ndryshuar ligjet e surrogacisë jashtë vendit por nëse të gjithë mundohen të rregullojnë ligjet në vendin e tyre, të paktën do kemi një industri më të kontrolluar”, thotë Nick Hopkins, avokat.

Burimi: CNBC. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë