Nga Gazeta Si - “Disa njerëz gjejnë shpëtim te kisha, disa te poezia. Unë te miqtë e mi”.
Kjo është bindja e shkrimtares angleze Virginia Woolf, në romanin tronditës “Valë”, roman i cili ka ngacmuar imagjinatën regjisoriale të Enke Fezollarit.
Ekzistencën njerëzore që trajton kjo vepër dhe mënyrën se si rrjedhin e si valëviten jetët tona, regjisori Fezollari orvatet t’i zbërthejë nëpërmjet vënies skenike, shfaqje e cila do të vijë premierë sonte më 8 mars në Teatrin Metropol e do të vazhdojë përgjatë gjithë muajit për publikun.
Për regjisorin, vënia në skenë e kësaj vepre e cila konsiderohet si nga një nga romanet modernë më të mirë të shekullit XX, është një ëndërr e kahershme dhe në të njëjtën kohë një sfidë.
“Për mua kjo vepër është shumë personale sepse prej vitesh e mendoja dhe më vërdallisej në kokë edhe në zemër. Ishte një sfidë se si do ta bëja dramatizimin në skenë, si do realizoja një libër kaq të mirë dhe të rëndësishëm në skenë”, shprehet regjisori për Gazetën “Si”, ndërsa shton se autorja e veprës “krijoi një gjuhë të re letrare në një botë kur gratë nuk studionin, të drejtat erdhën vonë, një grua e cila foli për shpirtin e njeriut, për gjininë, për jetën, për problemet ekzistenciale të qenies tonë. Është një shkrimtare avantgardë që vjen për herë të parë në Teatër”.
“Valët” është një portret i jetës së ndërthurur të gjashtë miqve: Bernard, Neville, Louis, Jinny, Susan dhe Rhoda, të cilët vijnë nën interpretimin e aktorëve Enisa Hysa, Jozef Shiroka, Klodjana Keco, Krist Lleshi, Silvio Goskova, Urim Aliaj.
Romani është i ndarë në nëntë seksione, ku secila korrespondon me një kohë të ditës dhe, në mënyrë simbolike, me një periudhë të jetës së personazheve. Çdo seksion fillon me një përshkrim të hollësishëm të rrjedhës së kësaj dite simbolike.
Çdo personazh duket sikur dëshiron një ndjenjë rregulli dhe të gjejë diçka të qëndrueshme në një botë me ndryshime të vazhdueshme.
Sipas regjisorit Fezollari, kjo vepër flet për njeriun dhe ekzistencën e tij, ku tematikat e saj janë përtej letërsisë, janë pika të rëndësishme edhe për shoqërinë shqiptare.
“Diversiteti, identiteti, gruaja, roli i fëmijërisë në trajtimin e arsimit, të edukimit, dashuria dhe gjuha poetike e një autoreje feministe janë në këtë kohë të rëndësishme, sidomos sot me METOO. Vrasjet ndaj grave, traumat e shoqërisë, e sistemeve sociale dhe politike, sidomos këto janë tematikat që ne duhet të riformojmë në shoqërinë tonë’, vijon regjisori për Gazetën “Si”.
Regjisori thotë se vetë jeta, siç përshkruhet në “Valë”, është një rrjedhë e vazhdueshme e përshtypjeve shqisore dhe ngjarjeve të rastësishme, ndaj dhe procesi i kësaj vepre ka qenë interesant.
“Në procesin e provave bashkë me aktorët u futëm në një udhëtim për të njohur Virxhinia Woolf, për të mësuar historinë e saj, jetën personale, veprat e saj”, thotë regjisori, ndërsa shton se “përgjegjësia më e madhe është të mbash fijen e historisë”.
Vepra tenton të ngrejë edhe pyetje ekzistenciale si: Sa njerëz banojnë brenda nesh? Kush jam unë? Kush je ti? Çfarë traumash mbajmë në shpirtrat tonë, sa njerëz rrjedhin në damarët tonë, çfarë momentesh e përcaktojnë qenien tonë, unin tonë, sa njerëz humbasim dhe sa njerëz lëshojmë të ikin nga ne...
Në fund , regjisori thotë se “shpresoj me shfaqjen të kemi sjellë atë sens dhe t’i ofrojmë publikut ndjesinë e librit, të gjuhës dhe të komunikojë kjo shfaqje me njerëzit ashtu siç ne komunikuam gjatë provave me botën e Virginia Woolf”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.