Ka ndodhur

I dënuar me 8 vjet burg për kultivimin e 4.020 bimëve kanabis, arrestohet në Mat 51-vjeçari

Gazeta Si – Pas gjashtë vitesh në arrati, një 51-vjeçar nga Mati është arrestuar këtë të martë, pasi ishte dënuar me 8 vjet burg për kultivim të lëndëve narkotike.

Lika, banues në Rukaj, Mat, ishte i shpallur në kërkim që në vitin 2016. Gjatë operacionit të policisë në fshatin Rremull i Njësisë Administrative Rukaj, u gjetën 4020 bimë kanabis sativa të kultivuara në katër parcela.

Ndërsa në një përrua afër banesës së tij, u konstatua një hangar i ndërtuar me shtylla druri brenda të cilit kishte të varura një sasi degësh të bimës kanabis për t’u tharë.

Gjithashtu, 100 metra më lart, tek një banesë e pabanuar që administrohej nga 51-vjeçari u gjet një sasi tjetër degësh kanabis që ishin vendosur për t’u tharë, me peshë totale 3052 kg.

Kështu nga hetimet rezultoi se Lika ishte autori i kultivimit dhe i prodhimit të kanabisit të gjetur dhe të sekuestruar gjatë operacionit.

Pas arrestimit, Shpëtim Lika pritet të vuajë dënimin e dhënë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë