Gazeta Si – Gazmir Korbi është shqiptari që humbi tragjikisht jetën në aksidentin e ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Kroaci.
Ai ishte pjesë e Komandës së Forcës Ajrore shqiptare dhe ndodhej me leje të zakonshme, kur autobusi me të cilin udhëtonte u përmbys në anë të rrugës për shkak të kushteve të këqija të motit.
Lajmin e bëri të ditur Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili në një postim në rrjetet sociale, shprehu ngushëllimet e tij për familjen e të riut.
“I dhimbshëm lajmi i ndarjes nga jeta të Gazmir Korbit, në aksidentin e ndodhur në Kroaci. Ai nuk mundi të kthehej më mes kolegëve të tij në kompaninë e mbështetjes në Komandën e Forcës Ajrore pas lejes së zakonshme. Ngushëllime familjes për këtë humbje të madhe dhe të parakohshme!“, shkruan Peleshi.
Mësohet se Gazmir Korbi ishte baba i dy fëmijëve. Një autobus me targa shqiptare u aksidentua rreth orës 23:45 minuta të së shtunës në një autostradë në drejtim të Zagrebit në Kroaci.
Përveç viktimës, në aksident mbetën të plagosur edhe 7 pasagjerë të tjerë, pëfshirë dhe shoferin, të gjithë shtetas shqiptarë, të cilët ndodhen në spital.
Autobusi ka bërë një devijim të fortë dhe më pas është përplasur me barrierat ndarëse derisa është përmbysur. Dyshohet se shkak është bërë moti i keq, me stuhi bore që kishte përfshirë zonën.
Më herët, zyra për shtyp e Presidencës njoftoi se kreu i shtetit shqiptar “Bajram Begaj po ndjek me shqetësim aksidentin tragjik që ndodhi sot në Kroaci ku humbi jetën një shqiptar dhe u lënduan disa të tjerë”.
Begaj i shpreh ngushëllimet familjarëve për humbjen e njeriut të tyre të dashur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




