Nga Gazeta Si – Shoqërohet në polici shoferi i kazinosë në të cilën punonte 22-vjeçarja nga Kenia, e cila humbi jetën rreth dy javë më parë.
Mësohet se shtetasi Rodi Barçi, është shoqëruar në komisariatin numër 1 në Tiranë, për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e rëndë.
22-vjeçarja nga Kenia, Joy Aoko, dyshohet se është hedhur nga banesa në të cilën jetonte në Tiranë, e si pasojë e plagëve të rënda humbi jetën disa muaj pas qëndrimit në spital.
Po ashtu po punohet edhe për rimarrjen në pyetje të shtetases keniane Emily Mutua, mikeshë e Joy.
Joy Aoko ndërroi jetë në Kenia, ku u transportua në gjendje kome, disa muaj pasi ndodhej e shtruar tek Spitali i Traumës në Tiranë. Joy ndodhej e shtruar në spital që prej 14 gushtit të vitit 2022. 22-vjeçarja kishte ardhur në Shqipëri për të punuar në një kazino, por në gusht të vitit të kaluar, u gjet buzë godinës ku jetonte prej muajsh. Dyshimet paraprake ishin se e reja kishte rënë nga dritarja, por nga ekzaminimet e mëtejshme u vërtetua se ishte dhunuar e me shumë mundësi përdhunuar e më pas lënë në derën e rezidencës ku jetonte.
Oficerët e policisë kanë ripyetur disa persona për të sqaruar paqartësi apo mospërputhje mes deklarimeve të tyre dhe pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë.
E para që u ripyet ishte shoqja e dhomës se 22-vjeçares e cila është nga Gana. Po ashtu janë pyetur edhe stafi i kazinosë dhe shoferi që e transportoi 22-vjeçaren në rezidencë pak orë para se të gjendej nga banorët jashtë rezidencës në gjendje të rëndë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.