Gazeta Si – Katër anije të NATO-s kanë kryer një kontroll për mina ujore në Portin e Durrës, të cilat dyshohet të kenë mbetur prej Luftës së Dytë Botërore.
Kontrolli shtë kryer në zonën e Porto Romanos, aty u do të ngrihet Porti i ri i Durrësit dhe baza detare e NATO-s.
Luftanijet e NATO-s iu bashkuan kërkesës së autoriteteve shqiptare pas punimeve që kanë nisur në Porto Romano për thellimin e kalatave dhe kanaleve hyrëse në këtë port.
Katër anijet turke, holandeze dhe italiane, do të asistojnë në kërkimin e minave ushtarake në Gjirin e Durrësit dhe do të qëndrojnë për disa ditë, duke shkëmbyer eksperiencë me Forcën detare shqiptare dhe repartet zjarrfikëse të Portit të Durrësit.
Flotilja përbëhet nga anija komandë dhe 3 anije shoqëruese.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, forcat gjermane e minuan bregdetin e Durrësit për të penguar zbarkimin e aleteve në një operacion të mundshëm.
Gjatë punimeve në porte dhe në ujërat territoriale, deri vitet e fundit, punonjësit kanë hasur në bomba të cilat kanë rrezikuar jetën e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




