Largim nga shtëpia, ndarje me familje e biseda të vështira me fëmijët për luftën janë përvojat e disa qytetarëve ukrainas me prejardhje shqiptare, që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Ata kanë rrëfyer për Radion Europa e Lirë, se si u është ndryshuar jeta prej një viti.
Ndonëse dikur e kishte përditshmëri, për Nelli Syupyurin tani është ditë e veçantë sa herë i bie të veshë rrobat e vallëzimit.
Me profesion koreografe, Syupyur jetonte në rajonin e Odesës, në jugperëndim të Ukrainës deri më 24 shkurt të vitit 2022, kur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

Këtë ditë, në orët e hershme të mëngjesit dhe e trishtuar nga zhurma e sirenave, ajo u nis së bashku me djalin e saj, atë kohë tre vjeç, në perëndim të Ukrainës, me shpresë për t’u larguar nga Ukraina përmes kufirit të Polonisë për në Gjermani.
“Në ditën kur filloi lufta ne u ngritëm, deshëm të marrim para nga banka, por ishte mbyllur. Nuk kishim para në xhep, nuk kishim çfarë të hanim gjatë rrugës”, kujton Syupyur. Për të arritur te kufiri, asaj iu desh të ecë edhe në këmbë.
Bashkëshorti i saj, një ushtarak në pension, qëndroi prapa për t’iu bashkuar sërish ushtrisë së Ukrainës, në mbrojtje të vendit.

Djalit nuk mundi t’ia fshihte atë që po ndodhte, ndonëse mundohej të qëndronte e fortë.
“Ai i kuptoi të gjitha. Kur ishim pranë kufirit të Ukrainës ai më tha: Nënë ngrihu, duhet të rrish në këmbë. Ai flet për luftën, për raketat, për njerëzit në Odesa dhe që nuk ka pasur drita, ai të gjitha i dinte”.
Syupyur është një nga mijëra personat me origjinë shqiptare që besohet se janë shpërngulur në Ukrainë nga Ballkani qindra vite më parë. Ata janë të vendosur kryesisht përreth zonës së Odesës dhe shumica e kanë ruajtur gjuhën dhe traditat shqipe.
Komuniteti shqiptar nëpër gjithë botën, sipas Syupyurit, ka qenë ndihmë e madhe për të, pasi ishte ai që e ndihmoi të zhvendoset në Gjermani.
“Shkuam te një familje gjermane shumë e mirë. Djali ishte i lumtur”, tregon Syupyur që aktualisht po jeton në qytetin Gisen në Gjermani që nga 26 shkurti i vitit të kaluar.
Më vonë, ajo nisi të jetojë vetëm. Programet sociale në Gjermani ia sigurojnë asaj akomodimin dhe ushqimin.

Megjithatë, Syupyur thotë se i mungon shumë puna e saj e përditshme, meqë në Ukrainë ishte pronare e disa shkollave të vallëzimit.
“Tani bëj koncerte për bamirësi në ansamblin e Ukrainës. Dal në skena për ansamblin e Ukrainës që u mblodh këtu pas nisjes së luftës”, tregon koreografja.
Ndonëse jeta në Gjermani, sipas Syupyurit, është e sigurt dhe e rehatshme, ajo thotë se e ka peng sigurinë e burrit të saj që po lufton kundër trupave ruse në Ukrainë.
“Ndonjëherë flasim, një minutë apo dy maksimumi. Një herë në javë apo dy javë. Vetëm më shkruan: Jam gjallë Nelli, mos ki merak. Kur ka momente që mund të flasë me kamera, djali është shumë i lumtur”, tregon ajo.

Para se të niste lufta, ajo së bashku me bashkëshortin kishin pasur plane të vinin në Shqipëri dhe të hapnin edhe këtu shkollë vallëzimi.
Me dëshirë për të përforcuar mësimin e gjuhës shqipe, Syupyur ka udhëtuar e jetuar për një kohë në Tiranë, katër vjet më parë. Këtu lindi edhe djalin.
“Planet m’i prishi lufta. Më prisnin shumë njerëz në Shqipëri dhe në Kosovë. Shpresoj të shkoj në Kosovë e Shqipëri, t’i shoh miqtë që më shkruajnë shumë”, thotë ajo.
Siç thotë Syupyur, ky vit ishte ndër vitet më të gjata të jetës së saj, por është optimiste se situata do të përmirësohet.
“Çdo ditë ngrihem dhe them se mund të mbarojë lufta. Po kush e di, askush nuk e di”.
Por, nga Ukraina nuk pati mundësi të largohej një tjetër shtetas ukrainas me prejardhje shqiptare, Maxim Kirchev nga kryeqyteti ukrainas, Kiev.

Edhe pse është konsideruar i aftë për luftim, ai nuk u angazhua në ushtri pasi kishte mungesë të përvojës dhe shkollimit ushtarak. Kirchev, 40-vjeçar, së bashku me dy fëmijët dhe bashkëshorten, u nis për në perëndim të Ukrainës, në ditën e parë të fillimit të luftës.
“Kishte shumë trafik në ditët e para. Fatmirësisht, fëmijët ishin të përgjumur”, e kujton Kirchev atë ditë të përcjellë me sirena paralajmëruese për sulme ajrore.
Për disa muaj, ai qëndroi në Ivano-Frankivsk, një qytet në perëndim të Ukrainës, ku jetonte familja e bashkëshortes së tij, Ludmilla.
Megjithatë, në fund të gushtit ata vendosën të kthehen në Kiev, kur konsideruan se situata ishte paksa më e qetë.

“Fëmijët ishin shumë të lumtur, sepse ju kishin munguar lodrat e tyre, shtretërit e tyre. Gjithmonë është kënaqësi për ta t’i vizitojnë gjyshërit, por kur nuk ke qenë në shtëpi për shumë gjatë, të mungon gjithçka”, thotë ai.
Kirchev ka vazhduar të punojë në një kompani për telekomunikim ku kishte punuar edhe para luftës, por jeta e tyre, siç thotë ai, nuk është më njësoj.
“Nga fillimi i shtatorit, djali nisi shkollën në klasë të dytë dhe vajza në kopsht. Ata nisën të kuptojnë se si të veprojnë gjatë alarmeve për sulme ajrore. Ata kuptuan që duhet të shkojnë në vende të sigurta, në mes të ndërtesave sepse është më sigurt gjatë sulmeve me raketa”, tregon Kirchev.
Ndonëse apartamenti i tij nuk është shkatërruar, Kirchev tregon se patën momente shumë të frikshme.
“Ne po e menaxhojmë jetën me vështirësi. Një herë fëmijët u frikësuan, pasi një raketë goditi një lokacion 400 metra nga shtëpia jonë. U frikësuan sepse ishte një shpërthim shumë i zhurmshëm”, tregon ai.
Përveç frikës për jetën e tyre, ai thotë se po jetojnë si pezull pa pasur shumë kontroll mbi atë se çfarë mund të ndodhë të nesërmen.
“Qëndrimi ynë karshi disa gjërave ka ndryshuar në atë se çfarë është e rëndësishme dhe çfarë jo. Tani nuk mund të planifikojmë për muajt përpara. Nuk mund të ndërtojmë plane për vitet apo muajt që vijnë”, thotë ai.
“Ne shpresojmë që lufta të mbarojë dhe Rusia të mposhtet. Ata duhet të marrin ushtarët e tyre dhe të largohen”, shton Kirchev.
Sipas zyrës për të Drejtat e Njeriut në Kombet e Bashkuara në të dhënat që i kanë publikuar më 23 shkurt të vitit 2023, më shumë se 8000 civilë të vrarë janë regjistruar në Ukrainë që kur Rusia nisi pushtimin.
OKB-ja tha se kjo shifër është vetëm “maja e ajsbergut” pasi besohet se mijëra të tjerë kanë vdekur./Marrë nga REL.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




