Lojëra me Dore

Novak Gjokoviç lë pezull turneun amerikan: Ende asnjë përgjigje nga SHBA-të

Gazeta Si – Numri 1 në botë ka dhënë një konferencë shtypi në Beograd, ku ka folur për gjendjen e tij. Ai ka pohuar se do të shkojë në turneun arab, ndërsa turneu amerikan mbetet pezull, sepse ende nuk ka asnjë përgjigje pas kërkesës së tij.

Një stërvitje në qendrën teknike në Beograd dhe pastaj përpara gazetarëve. Të gjithë prisnin që Novak Gjkokoviç të jepte lajmin e pjesëmarrjes ose jo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por jo. Nuk ka asnjë përgjigje nga SHBA-të ndaj kërkesës për një leje, që do të mundësonte pjesëmarrjen në Masters 1000 të Indian Uells në Majemi, edhe pse tenisti nuk është vaksinuar ndaj Covid-it.

Lajmet për shëndetin e tij janë të mira gjithsesi: “Jam stërvitur mirë këto ditë dhe jam afër 100%-shit të formës. Nuk e di ende, nëse do të luaj në SHBA, po pres një përgjigje. Tani do të nisem për në Dubai, ku do të luaj javën e ardhshme”, – tha Gjokoviç.

Numri 1 në botë ka festuar me një tortë me çokollatë 377 javët në krye të renditjes, po aq sa ka qëndruar edhe Stefi Graf. Ai do ta thyejë rekordin të hënën, kur do të shkojë në 378 javë, duke u bërë tenisti me më shumë javë në krye të klasifikimit në histori për sportin e raketës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë