Ka ndodhur

Sherr mes shqiptarëve në një kafene në Athinë, vritet aksidentalisht një prej tyre

Gazeta Si – Një shqiptar 37-vjeçar, Pëllumb Islami, humbi jetën nga një armë zjarri mbrëmjen e të martës në mënyrë aksidentale në Greqi.

Sipas mediave lokale, ngjarja ndodhi rreth orës 23:40 në një kafene në zonën e Nea Ionia në Athinë, ku fillimisht shqiptari u lëndua rëndë dhe u dërgua në spital.

Por pas rreth 3 orësh humbi betejën me jetën. Mësohet se 37-vjeçari ishte me profesion hidraulik në Greqi.

Gazeta “Protothema”, shkruan se gjithçka ka nisur kur në kafene mbërriti një grup prej 7 shqiptarësh të cilët ishin duke debatuar para se të uleshin aty. Të shtatë dolën më pas nga kafeneja dhe papritur një prej tyre ka nxjerrë armën e ka qëlluar.

Për pasojë plumbat kanë prekur shqiptarin tjetër, i cili nuk ka pasur lidhje me bashkatdhetarët e tij që po konfliktoheshin.

Deri tani policia greke nuk ka mundur të arrestojë asnjë prej të dyshuarve. Në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja armësh dhe një makinë tip “Jeep”, e cila dyshohet se i përket një prej shqiptarëve që po konfliktohej.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë