Ka ndodhur

Makina godet shtyllën dhe merr flakë, humb jetën i riu në Berat. Një muaj më parë iu mbyt vëllai në lumë

Gazeta Si – Një 28-vjeçar ka humbur jetën këtë të martë në Berat si pasojë e një aksidenti me makinë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:30 në Rrethrrotullimin e Çiflikut në Dimal, aty ku automjeti tip “Benz”, ka dalë nga rruga dhe më pas ka marrë flakë duke i marrë jetën të riut.

Drejtuesi i mjetit, shtetasi Kliton Merkaj, banues në Berat, ka ndërruar jetë brenda në automjet, pasi është djegur pas përplasjes.

Te afërm të viktimës, bëjnë me dije se pak ditë më parë, kishte ndërruar jetë edhe vëllai i tij 30-vjeçar, i cili u mbyt në lumë aksidentalisht.

“Gjatë natës, në aksin rrugor Berat-Ura e Kuçit, në afërsi të fshatit Poshnje, shtetasi K.M., 28 vjeç, banues në Berat, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka goditur një shtyllë ndriçimi dhe ka rënë në kanalin anësor duke marrë flakë. Për pasojë, sipas policisë, ai ka ndërruar jetë brenda në mjet”, – njofton policia.

Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit të ketë qenë shpejtësia tej normave të lejuara. Viktima nuk ka arritur të hyjë në rrethrrotullim, edhe pse natën ka pasur ndriçim në zonë. Mjeti u përplas fillimisht me një shtyllë në rrugë duke shkulur atë nga vendi, përfundoi në kanal.

Një dëshmitare, banesa e të cilës është afër vendit të ngjarjes së aksidentit, tregon se ka qenë në gjumë dhe së bashku me bashkëshortin është ngritur, pasi dëgjuan zhurmën. Sapo u afruan, makina shpërtheu në flakë. Pritet që autoritetet të kryejnë ekspertizën mjeko-ligjore në trupin e viktimës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë