Gazeta Si – Katër të rinj janë arrestuar në Shkodër, pasi në mjetin që po lëviznin iu gjet lëndë narkotike, ndërsa gjatë kontrollit në banesa u gjetën dhe sekuestruan lëndë narkotike, fara bimësh, armë, fishekë dhe shkop besjbolli.
Me finalizimin e operacionit policor të koduar “Porosia e fundit” u arrestuan në flagrancë shtetasit:
B.B., 22 vjeç, F.M., 21 vjeç, E.H., 21 vjeç dhe K.V., 22 vjeç, banues në lagje të ndryshme të qytetit të Shkodrës.
“Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit E. H., shërbimet e Policisë gjetën një tjetër sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, një sasi farash të dyshuara narkotike cannabis sativa, 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu me 2 fishekë në fole, një sasi municioni luftarak dhe 1 shkop bejsbolli, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 5 aparate celulare”, – njoftoi policia.
Dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin doza të lëndës narkotike kanabis, në qytetin e Shkodrës. Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të këtyre shtetasve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




