Gazeta Si – Kthehet në Shqipëri ekipi i kërkim-shpëtimit që i erdhi në ndihmë Turqisë pas tërmetit tragjik të 6 shkurtit.
Pas 11 ditësh pune intensive, rreth 85 trupa, në përbërje të të cilëve ishin efektivë të Forcave të Armatosura, të Emergjencave Civile, ekipeve shëndetësore janë përcjellë me duartrokitje nga përfaqësues të autoriteteve turke, por edhe qytetarë të thjeshtë, të cilët u shprehën mirënjohjen për kontributin e tyre. Momenti i përcjelljes së trupave shqiptare është transmetuar edhe nga agjencia turke e lajmëve IHA (Ihlas Haber Agency).
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ekipet kanë nxjerrë 26 persona nga rrënojat, mes tyre edhe të mbijetuar.
Koloneli Elton Reso është shprehur se përgjatë këtyre ditëve të kërkim-shpëtimit ai kujton si emocionues momentin kur nga rrënojat u nxorr një vajzë e vogël. Ekipet shqiptare në koordinim edhe me emergjencat turke, AFAD u vendosën kryesisht në zonën e Malatyas.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, tha se shpreh mirënjohjen e tij për 3 ekipet e vajzave dhe djemve nga Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile dhe ekipet shëndetësore që kontribuan në Turqi për 11 ditë në operacionet e kërkim-shpëtimit.
“Krenari dhe mirënjohje pafund për 3 ekipet e vajzave dhe djemve nga Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile dhe ekipet shëndetësore që kontribuuan përgjatë 11 ditëve në operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat e shkatërruara nga dy tërmetet e fuqishme në Turqi. Ata u nisën për t’u kthyer në Atdhe, duke marrë me vete edhe respektin e popullit turk, që njëherësh është vlerësim për Shqipërinë tonë. Të gatshëm dhe solidarë sa herë të jetë nevoja për kontributin tonë!”, shkruan Peleshi në Facebook.
Sipas bilanceve më të fundit, numri i viktimave nga tërmeti tragjik në Turqi dhe Siri ka shkuar në mbi 45 mijë persona.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




