Ka ndodhur

Itali/ Kapen mbi 100 kg kokainë të fshehur mes djathit, kreu i organizatës një shqiptar

Gazeta Si – Një mega-operacion i kryer në të gjithë Italinë nga policia e Torinos ka çmontuar një organizatë kriminale të trafikut të drogës që drejtohej nga një 37-vjeçar shqiptar.

Nga ky operacion të paktën 10 persona janë arrestuar, 7 prej tyre janë italianë dhe 3 të tjerë shqiptarë.

Sipas mediave italiane, grupi kriminal kishte bazat e tij operacionale midis Torinos dhe Astit dhe degëzime në Lombardi, Veneto, Toskanë, Siçili dhe Sardenjë.

Gjatë hetimeve, u sekuestruan mbi 120 kilogramë kokainë të pastër në vlerë mbi 20 milionë euro. Sasia e lëndës narkotike ishte fshehur nga trafikantët në pako djathi.

Veprimtaria hetimore e nisur nga njësia e policisë ekonomike dhe financiare bëri të mundur, falë përgjimeve telefonike dhe ambientale, të konstatohej ekzistenca e një bande të mirëorganizuar që importonte sasi të mëdha droge nga jashtë dhe e shpërndante në të gjithë Italinë.

Drejtuesi ishte një 37-vjeçar me kombësi shqiptare dhe në grup ishin 2 bashkatdhetarë të tjerë dhe 7 shtetas italianë.

Kokaina, e cilësisë së shkëlqyer, mbërriti nga Holanda dhe udhëtoi me kamion në Piemonte, ku ruhej në magazinat sekrete që organizata administronte në provincat Asti, Alessandria, Cuneo, por edhe në Veneto, në provincën e Rovigos.

Pas disa kohësh lënda narkotike dërgohej në destinacionin e saj përfundimtar nëpërmjet korrierëve të aftë për të ndërruar mjetet e transportit në çdo udhëtim.

Prillin e kaluar, falë qenve antidrogë të policisë, u kapën një ton kokainë shumë e pastër e fshehur në një kamping dhe dy muaj më vonë, 25 kilogramë të tjerë u gjetën brenda 5 rrotave me djathë parmixhano të futur posaçërisht për t’i shpëtuar kontrolleve policore.

Nëse do të shitej me pakicë, dozat e “të bardhës” mund të kishin gjeneruar të ardhura të paligjshme prej të paktën 20 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë