Ka ndodhur

Pjesë e grupit kriminal në Spanjë, arrestohet 30-vjeçari në Vlorë me qëllim ekstradimi

Gazeta Si – Një 30-vjeçar, pjesëtar i një grupi kriminal me aktivitet në fushën e narkotikëve, në Spanjë është arrestuar në Vlorë me qëllim ekstradimi.

Me finalizimin e operacionit policor të koduar “Escape”, u kap në vendin e quajtur “Albano Romina”, Vlorë, dhe u arrestua përkohësisht, shtetasi Xhuljano Hajrulla, banues në Vlorë.

I riu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madrid, pasi Gjykata Qendrore e Instruksionit në Spanjë, me vendimin e datës 01.02.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafik narkotikësh”, “Grup kriminal” dhe “Mashtrim në fushën e energjitikës”.

Hajrulla akuzohet si pjesëtar i një grupi kriminal në Spanjë, që merret me kultivimin e marijuanës. Ky grup ka përdorur shtëpi dhe ndërtesa industriale për kultivimin e kësaj bime dhe 30-vjeçari dyshohet si personi që merrej me transportimin e materialeve dhe kultivimin e plantacioneve.

Sipas policisë, në total, ky grup kriminal llogaritet se ka vjedhur vazhdimisht energji elektrike, duke i shkaktuar një dëm të madh financiar shtetit spanjoll.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë