Gazeta Si – Një oficer policie në Pogradec, Gjergji Riza, i veshur civil, është filmuar duke ushtruar dhunë ndaj një 36-vjeçari në ambientet e një pallati për hakmarrje.
Sipas Policisë së Korçës, rreth 2 javë më parë, një person që dyshohet të jetë i dhunuari Ervin Norolla, kishte tentuar t’i vinte flakën klinikës së bashkëshortes të efektivit, ndaj dhe ai e ka rrahur.
E gjithë skena është e filmuar nga kamerat e një banese dhe siç duket dhe në pamje, punonjësi i policisë, e ka goditur të riun mes shpulla e grushte. Polici është pezulluar nga detyra pas publikimit të videos, ndërsa AMP është ka nisur hetimet për ngjarjen.
Më herët, oficeri i policisë ka pasur probleme shëndetësore dhe për shkak të kësaj gjendjeje, ai është transferuar nga Komisariati i Pogradecit në Drejtorinë e Policisë së Korçës. Ai ka kërkuar të dalë në KEMP, kërkesë e cila ende nuk është miratuar.
Ngjarja ka ndodhur dy javë më parë dhe i riu që u dhunua, mësohet se është arrestuar nga policia disa ditë më parë për shpërndarje të lëndëve narkotike dhe ndodhet në burg, pasi iu gjetën 50 gr heroinë.
Sipas policisë, bëhet me dije se pak kohë më parë, Norolla dyshohet se kishte vendosur tritol në klinikën dentare në pronësi të bashkëshortes së oficerit Gjergji Riza, por fitili nuk kishte ndezur dhe shpërthimi nuk u krye.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




